Policia e Kosovës gjatë një operacioni ka vënë në pranga 11 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale që ndërlidhen me trafikim me njerëz dhe abuzim me fëmijë.

Në kuadër të këtij fushëveprimi, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore e Policisë së Kosovës, bazuar në një plan të veçantë operativ “Identifikimi i fëmijëve lëmoshëkërkues si viktima të mundshme të trafikimit”, të implementuar nga data 06.11.2017 deri me datën 10.11.2017 nga të gjitha njësitë e kësaj Drejtorie dhe aktorët tjerë relevantë, si prokuroritë në rajonet përkatëse, qendrat për punë sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj dhe stacionet policore, ka arritur rezultatet si në vijim:

Identifikimi i (21) fëmijëve lëmoshëkërkues, prej tyre (13) shtetas kosovarë dhe 8 shtetas shqiptarë,

Identifikimi i (19) lëmoshëkërkuesve të rritur, prej tyre (9) shtetas kosovarë dhe (10) shtetas shqiptarë,

Të arrestuar gjithsej (11) persona të dyshuar.

“Prej (21) fëmijëve lëmoshëkërkues, 18 kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente që kanë vërtetuar lidhjen familjare, ndërsa tre (3) kanë qenë të shoqëruar me persona tjerë e që janë identifikuar si viktima të trafikimit, ku edhe janë inicuar procedimet penale. Në prani të punëtorit social, të gjithë fëmijëve lëmoshëkërkues u është plotësuar formulari për shënimet e lëmoshëkërkuesve dhe janë marrë në pyetje familjarët e tyre, me qëllim të identifikimit të viktimave potenciale të trafikimit me njerëz dhe janë trajtuar sipas procedurave të parapara.

Gjatë marrjes në pyetje janë identifikuar (3) viktima të trafikimit, dy nga Shqipëria dhe një nga Kosova.

Për fëmijët të cilët nuk kanë rezultuar si viktima të trafikimit me njerëz janë ndërmarrë veprimet dhe masat e nevojshme ligjore si në vijim:

–     Shtetasit e huaj janë dorëzuar në njësinë përkatëse, në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj dhe në njësitë e migrimit në drejtoritë rajonale policore kufitare që të vazhdojnë me veprime bazuar në Ligjin për të huaj.

–     Për shtetasit kosovarë, në konsultim me prokuroritë përkatëse, janë iniciuar (9) raste “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” sipas nenit 250 të Kodit Penal të Kosovës dhe janë dorëzuar kallëzime penale kundër prindërve të fëmijëve lëmoshëkërkues.

Përderisa për veprën penale ‘trafikim me njerëz’ janë inicuar dy (2) raste dhe janë arrestuar tre persona të dyshuar, dy (2) shtetas të Republikës së Shqipërisë dhe një (1) i Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative në vend, veprave penale të specifikuara sipas kodit penal të RKS-së, duke përfshirë edhe të gjitha llojet e krimit, në veçanti ato që ndërlidhen me trafikimin dhe abuzimet me fëmijë:, thuhet në njoftimin për media.