Policia e Kosovës sot ka arrestuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi. Arrestimi i tyre erdhi për shkak të shkeljes së vendimit për qëndrim në arrest shtëpiak.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit realizon detyrat dhe autorizimet e saj ligjore, duke u bazuar edhe në vendimet apo urdhëresat e organeve kompetente të drejtësisë. Këtë rast bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ndalim, arrestim dhe dërgim në qendrën e paraburgimit janë ndërmarr veprimet ligjore për realizim të të njëjtës (urdhëresë së gjykatës) ndaj dy personave të apostrofuar nga ana juaj”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Hoti.

Ndërsa, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqajt, i cili ka kërkuar ndaljen, sic e ka quajtur ai të persekutimit ndaj Lëvizjes,

“Të premten u arrestuan dhunshëm Albini, Donika dhe Albulena sikurse të kishin kryer ndonjë krim. Të nesërmen i liruan, akt ky që na bëri të mendojmë se pushteti e kuptoi gabimin e vet. Por jo, tash prap i paskan arrestuar Albinin dhe Donikën vetëm për shkak se ata iu bashkuan festës së mijëra qytetarëve në sheshin Skënderbeu. Edhe njëherë, kërkojmë ndaljen e persekutimit ndaj Lëvizjes sonë dhe lirimin sa më të shpejtë të deputetëve dhe aktivistëve të dënuar ditë më parë”, ka shkruar në faqen e tij, deputeti i VV-së, Dardan Molliqaj, përcjellë “Bota sot”.