Ashtu siç ishte paralajamëruar, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka dorëzuar në Prokurori një kallëzim penal në lidhje me dekonspirimin e operacionit për ndalimin dhe arrestimin e 3 ish zyrtarëve të lartë të policisë së shtetit, të dyshuar si të implikuar me trafikun e drogës dhe grupin kriminal të Habilajve.

Kallëzimi është nisur me postë në organin e akuzës dhe i drejtohet kërkesës për një hetim në lidhje me të gjithë personat që kanë patur dijeni për aksionin për kapjen e tre ish zyrtarëve të policisë, të cilët prej tashmë 3 ditësh duket sikur janë “zhdukur” nga faqja e dheut.

Tre ditë më parë do të bëheshin publik emrat e ish zyrtarëve të lartë (Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode) të kërkuar nga prokuroria e krimeve të rënda. SHÇBA do të niste kërkimet për ta ditën e nesërme, por asnjëri prej të kërkuarve nuk është gjendur në banesë.

Ditën e djeshme u publikuan të dhëna se të tre të kërkuarit janë larguar nga territori i vendit, ndërsa këtë të premte në lëvizje është vënë dhe INTERPOL duke i shpallur ata në kërkim ndërkombëtar. Po dje vetë kryeministri Edi Rama paralajmëroi se këtë të premte Ministri do të dërgonte për hetim penal të gjithë personat që kishin dijeni për operacionin i cili u dekonspirua. Në hetim sipas Ramës do të përfshihet dhe vetë Ministri, pasi edhe ai kishte dijeni për operacionin për kapjen e tre ish zyrtarëve.