Autoritetet saudite penguan të shtunën, tre shtetas katarinë punonjës të Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), me seli në Riad, të hyjnë në territorin saudit, dhe i kthyen ata në kufirin tokësor të Salwa-s mes dy vendeve.

Ky zhvillim vjen pas më pak se pesë muaj nga vendimi i autoriteteve saudite (i marrë më datë 8 Korrik), i cili përjashton shtetasit katarinë që punojnë në Sekretariatin e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit nga kërkesa për largimin e të gjithë katarianëve nga Saudia (së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Egjiptin), në kuadër të bllokadës së imponuar nga këto vende kundër Katarit.

Sipas një letre dërguar në atë kohë nga Sekretariati i GCC Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, specifikisht “Departamentit të GCC” theksohej se “Sekretariati ka marrë miratimin e Mbretërisë së Arabisë Saudite për vazhdimin e statusit të punonjësve të GCC nga çdo shtet qofshin, dhe lehtësimin e qëndrimit të tyre në vendin pritës (Arabia Saudite) sipas rregullave në fuqi”.

Sekretariati i GCC, në të njëjtën letër, shtonte se kjo “vlen edhe për katarianët që punojnë në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe rajonale me bazë në Mbretërinë e Arabisë Saudite”.

Më 5 Qershor 2017 Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti shkëputën marrëdhëniet diplomatike me Katarin, dhe vendosën bllokadë totale nga toka ajri dhe deti, pas një fushate të egër kundër këtij vendi. Shtetet e bllokadës i dërguan Dohës një listë me 13 kërkesa, kërkesa të cilat cënonin në substancë sovranitetin dhe pavarësinë e Katarit. Kërkesat përfshinin diktate të refuzuara nga Doha, siç është reduktimi i përfaqësimit diplomatik me Iranin, mbylljen e bazës turke ushtarake në KAtar, mbylljen e rrjetit televiziv të “Al Jazeera” si dhe një numër mediash të tjera.

Interesante është se ky zhvillim erdhi disa orë pas publikimit të mediave kuvajtiane lajme rreth një përparimi drejt zgjidhjes së krizës së Gjirit, duke thënë se samiti i GCC-së do të mbahet në kohë (Dhjetorin e ardhshëm) me presencë të gjashtë vendeve anëtare (mes të cilave edhe Katari). Mirëpo këto lajme nuk u konfirmuan nga ndonjë burim zyrtar.

Ndërkohë, gazeta “Okaz” e Arabisë Saudite akuzoi dje Katarin (duke cituar burime anonime) për organizimin e “një komploti terrorist që synon të destabilizojë sigurinë e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”, dhe shtoi se Katari “ka veçuar 2 milionë USD për të siguruar mbështetje logjistike për këtë komplot të dyshuar”.

Nga ana tjetër, Doha nuk i është përgjigjur zyrtarisht këtyre akuzave.