Lideri i Hezbollahut, Saed Hasan Nasrallah sot deklaroi se Arabia Saudite i ka shpallur luftë Libanit dhe Hezbollahut dhe tha se kryeminsitri libanez, Saad al Hariri, i cili dha dorëheqje gjatë qëndrimit në Riad, është mbajtur në mbretëri.

Në fjalimin televiziv, Nasrallah theksoi se dorëheqja e Haririt ka qenë “intervenim saudit” në politikën libaneze.

Lideri i lëvizjes libaneze Hezbollah deklaroi se Hariri është arrestuar në Arabinë Saudite dhe se dorëheqja e tij “e detyruar” është jokushtetuese, sepse është sjellë “nën presion”.

Nasrallah sot nga Bejruti tha se është i sigurt që Hariri ka qenë i detyruar të japë dorëheqje dhe se kjo, sipas tij, është pjesë e politikës së Arabisë Saudite për shkaktim të tensioneve sektare në Liban.

Nasrallah theksoi se Qeveria libaneze edhe më tutje është legjitime dhe se nuk ka dhënë dorëheqje.

“Shpallim se kryeministri i Libanit nuk ka dhënë dorëheqje”, deklaroi Nasrallah dhe shtoi se në Liban “ka sunduar stabiliteti pa precedent në vitet e shkuara”.

Ai, gjithashtu, vlerësoi se presidenti amerikan Donald Tramp sigurisht ka ditur për planet që Hariri të detyrohet të japë dorëheqje. Funksionarë amerikanë refuzojnë ta komentojnë statusin e Haririt.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Hedher Nojert deklaroi se Kris Henzel, ushtruesi amerikan i detyrës në Riad, është takuar me Haririn të mërkurën, por refuzoi të thotë më tepër hollësi për takimin apo për statusin e Haririt.

Dorëheqja e papritur e Haririt, e lexuar në televizion të Arabisë Saudite, e futi Libanin në krizë të thellë politike dhe e vendosi vendin në mes të konfliktit rajonal mes Arabisë Saudite dhe Iranit.