Gjykata e Apelit Shkup e ka shtyrë seancën publike në të cilën duhej të vendoste nëse video-xhirimet të publikuara në Youtube, do të jenë dëshmi në rastin “Ryshfeti”, në të cili i akuzuar është kryeministri dhe lideri i LSDM-së , Zoran Zaev.

Arsyeja për shtyrjen e seancës ishte pasi gjykatësi i lëndës Afrim Fidani, është emëruar gjykatës në Gjykatën e Lartë, ndërsa në vendin e tij akoma nuk është zgjedhur gjykatës i ri.

Gjykatësi Safet Kadriu tha se arsye për anulimin  e sotëm të seancës është për shkak të asaj se ende nuk është bërë risistemimi i tyre.

Avokatët e Zaevit kërkuan nga Gjykata Themelore Shkupi 1 që xhirimet të ndahen nga provat pasi janë publikuar në disa media dhe bëhet fjalë për xhirime sekrete.

Gjykata refuzoi këtë kërkesë, ndërsa avokatët dorëzuan ankesë në Gjykatën e Apelit.

Zaev në rastin “Ryshfeti” është i akuzuar se në kohën si kryetar i Strumicës ka kërkuar ryshfet nga biznesmeni Ivan Nikollov në vlerë prej 160 mijë eurosh për tokë ndërtimore në Strumicë.

Seanca e re për rastin “Ryshfet” në Gjykatën Penale është caktuar për më 25 dhjetor.