Deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe deputetja nga po e njëjta parti Donika Kadaj-Bujupi, për të cilët Gjykata Themelore e Prishtinës ka shqiptuar nga një muaj arrest shtëpiak, i janë bashkuar festës së Lëvizjes Vetëvendosje e cila është duke u mbajtur në sheshin ‘Zahir Pajaziti të kryeqytetit.

Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu u arrestuan dy ditë më parë në oborrin e Kuvendit të Kosovës. Arrestimi tyre ishte urdhëruar nga Gjykata, pasi për disa herë nuk ishin paraqitur në gjykim, për rastin që ka të bëjë me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Albin Kurti është nën masën e arrestit shtëpiak, por kjo gjë nuk i ka penguar që sonte t’i bashkohet festës së Vetëvendosjes në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Kurti, shkeljen e kësaj këtë natë mase e ka marrë në mënyrë të relaksuar, e madje edhe është tallur me situatën e tij nën këtë masë.

Ai tha se në vendim i shkruan se ai është nën masën e arrestit shtëpiak, por tha se nuk ka shtëpi, por banesë, shkruan Periskopi. Prandaj, sipas tij, sheshi është oborri i tij, meqë banesën e ka shumë afër.

“Në atë vendim shkruante arrest shtëpiak, por unë banoj me qera në banesë, nuk kam shtëpi edhe banojmë në një ndërtesë në Prishtinë shumë afër sheshit, aq afër saqë po të ishte ajo banesë shtëpi, sheshi do të ishte oborri im. Kështu që sonte dola në oborr, po e festoj fitoren e Shpend Ahmetit”, tha Kurti.