Akademi solemne me rastin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntori u mbajt sot në hotelin “Aleksandar Pallas” në Shkup, në organizim të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe nën patronazh të liderit të partisë Ali Ahmeti

Duke folur për rëndësinë e 28 Nëntorit për shqiptarët në Ballkan, lideri i BDI-së ka theksuar se kjo festë dhe Festa e Pavarësisë së Shqipërisë e kanë mbajtur frymën e kombit. Edhe krahas përpjekjeve për, siç tha, fshirje nga memoria e shqiptarëve në këto hapësira kjo festë dhe historia asnjëherë nuk janë harruar.

“Ndryshimet vetë i kemi bërë”, tha Ahmeti duke shprehur falënderime në mbështetjen që ia kanë dhënë, siç tha, miqtë nga NATO, BE dhe SHBA.

Tani përgjegjës për ardhmërinë, siç tha Ahmeti, jemi ne shqiptarët, nga ne varet se si do t’i drejtojmë punët për shtete më të mira, më të organizuar, më të avancuar me standarde të cilat ne na afrojnë dhe na bashkojnë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

“Nuk kemi pengesa për përparim”, tha mes të tjerash, Ahmeti.

Ambasadori shqiptar në Maqedoni Fatos Reka në fjalimin e tij tha se 28 nëntori i vitit 1912 është ditë historike për popullin shqiptar.

“Qëllimi ynë strategjik është që të jemi pjesë të Bashkimit Evropian dhe jemi shumë afër këtij qëllimi. Nuk jemi vetëm në këtë rrugë të suksesshme por së bashku me të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor të cilat kanë qëllime të njëjta strategjike. Në anën tonë është edhe Republika e Maqedonisë dhe për këtë që e bën Maqedonia ka mbështetje të plotë nga Shqipëria”, tha Reka. Shtoi se marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë janë të mira dhe pa çështje të hapura.

Në solemnitet foli edhe profesori i historisë nga Universiteti i Prishtinës Nuri Bexheti, ndërsa morën pjesë ministra të Qeverisë nga BDI-ja, deputetë dhe funksionarë të tjerë, kryetarë të komunave dhe të tjerë.

Përfaqësues të partnerëve të koalicionit të BDI-së nga Qeveria nga partitë maqedonase nuk morën pjesë në solemnitet, ndërsa sipas deputetit Artan Grubi ata nuk janë ftuar.

Solemniteti filloi me këndimin e himnit shqiptar.