Kompani turke nga Keshani, qytet në afërsi të kufirit me Greqinë, shohin mundësi për përhapje të bizneseve në Maqedoni.

Përfaqësues të tyre sot ishin për vizitë në Odën Maqedoni-Turqi – MATTO në mënyrë që të njihen me klimën afariste dhe investuese në vend.

Siç kumtuan nga MATTO, u bë fjalë për strategjinë për zhvillim të Qeverisë, e cila, sipas përfaqësuesve të MATTO-s, është premtuese në kuptimin e nxitjes dhe mbështetjes së rritjes së kompanive që do të thotë edhe rritje e përgjithshme ekonomike e vendit.

Nënkryetarët e MATTO-s, Alper Tunga Ersoj – drejtor i përgjithshëm i TAV-it dhe Eser Xhevahir – drejtor i përgjithshëm i Xhevahir Maqedoni, si dhe Bunjamin Kutllu, atashe tregtar i Republikës së Turqisë, theksuan se Maqedonia disponon me fuqi punëtore të re dhe të arsimuar që premton edhe zhvillim më të lehtë të bizneseve. Jo me më pak rëndësi, u tha, janë edhe siguria e përgjithshme në vend, vlerat e ngjashme kulturologjike dhe prania e popullatës lokale turke.

Në takim morën pjesë biznesmenë nga 28 kompani nga sfera e turizmit, ndërtimtarisë, prodhimtarisë dhe përpunimit të frutave, bujqësisë, blegtorisë dhe tregtisë. Sipas zëvendëskryetarit të Odës Ekonomike nga Keshani, Mustafa Ishçinen, delegacioni përbëhet nga trashëgimtarë të emigrantëve nga Maqedonia dhe Kosova dhe se për shumicën, ky është takimi i parë me vendin e prejardhjes.

“Duke pasur parasysh se Keshani është portë mes Evropës dhe Turqisë, dhe se Trakia është rajon bujqësor i Turqisë me potencial të madh eksportues, shohin mundësi për përhapje të bizneseve me fqinjët, duke e përfshirë edhe Maqedoninë. Fakti se Keshani është qytet në Detin Marmara, turizmi është gjithashtu degë e rëndësishme ekonomike por edhe mundësi për bashkëpunim”,thekson MATTO.

Pas Shkupit, delegacioni turk do t’i vizitojnë Prishtinën dhe Prizrenin.