Nga Arben LLALLA

Shqiptarët kudo përkujtuan 109 vjetorin e Kongresit të Manastirit ku u realizua me suksese njësimi i Alfabetit të gjuhës shqipe me shkronja Latine. Sepse shqiptarët deri më 14-22 nëntor 1908 kishin përdorur disa Alfabete me shkronja latine, greke, sllave dhe arabe. Pavarësisht krijimit të alfabeteve me shkronja greke, sllave dhe arabe, ne nuk e kemi të drejtën të kritikojmë ata shqiptar që morën guximin për krijimin e alfabetit të gjuhës shqipe edhe me këto variante shkronjash. Gjërat duhen vlerësuar për kohën që bëhet fjalë dhe jo me kohën e sotme. Në vitet e shtypjes, luftës për ekzistencë të kombit dhe gjuhës shqipe disa intelektualë shqiptar morën guximin dhe krijuan Abetare të gjuhës shqipe me shkronja latine, greke, sllave dhe arabe, për t’ju krijuar mundësinë fëmijëve shqiptar që të mësonin gjuhën e tyre amtare.

Patriarku ortodoks grek lëshonte mallkime mbi letërsinë shqipe dhe kërcënonte me shkishërim të gjithë ata besimtarë që do të guxonin të mësonin dhe lexonin në gjuhën shqipe. U vranë shumë shqiptar orthodoksë dhe mysliman që mësonin me Abetaret shqipe me shkronja greke dhe arabe.

Dy armiqtë historikë kundër njëri-tjetrit, Sulltani dhe Greqia kanë bashkëpunuar me zell për përndjekjen dhe burgosjen e gjithkujt që kapej me libra të gjuhës shqipe. Qeveritarët orman me dhunë dhe prifti e hoxha me propagandë demagogjike u përpoqën të përçanin popullin shqiptar dhe ta linin në errësirë. Kështu kleri mysliman proturk në rrugë fetare, ndalonte besimtarët myslimanë të ndiqnin shkollat shqipe bashkë me të krishterët, me pretekstin absurd se ‘’prishin besën,,. Nga ana tjetër, priftërinjtë e dhespotë grekë thonin se vetëm greqishtja është gjuha e perëndisë, kurse shqipja është gjuhë ‘’shejtani,, dhe, në këtë mënyrë, përpiqeshin të ndalonin përhapjen e gjuhës shqipe në shkolla, xhami, kisha e kudo.

Për lexuesin e sotëm shqiptar po sjellim faksimilet e Abetaren me Alfabetin të gjuhës shqipe me shkronja arabe, por ju lutemi mos i gjykoni ata burra që krijuan këtë Abetare si proturq. Duhet të mendojmë se si ishte edukata dhe shkollimi i shqiptarëve në shek. 19 dhe fillim të shek.20, kur nuk kishte shtet shqiptar.

Intelektualët shqiptar të fesë myslimane të shkolluar nëpër shkollat islame, nuk mund të shkëputej lehtë nga ndikimet e dashurisë për kulturën e botës arabe. Duke parë se shumica e shqiptarëve ishin të fesë islame mendonin që gjuha shqipe po të shkruhej me alfabetin arab do të mësohej më shpejtë. Kjo edhe se shumica e intelektualëve shqiptar ishin edukuar nëpër shkollat islame dhe ishin të punësuar në administratën e perandorisë Osmane. Një tjetër shkak që mund të ketë menduar që shqipja të shkruhej me alfabeti arab duhet të ketë qenë mbrojtja e shqiptarëve nga ndikimet greke, sllave dhe latine. Duke parë se latinët katolik, Vadikani dhe shtetet e fuqishme i braktisën shqiptarët duke i lënë nën pushtin sllav dhe orthodoksit shqiptar ishin nën ndikimin grek. Ata mendonin se afrimi i shqiptarëve me botën islame do të kishte një mbështetje politike, një shpëtim ndaj pretendimeve të grekëve për grabitjen e tokave shqiptare në jug. Mendimet për alfabetin e gjuhës shqipe me shkronja arabe janë kundërshtuan ashpër nga atdhetarët shqiptar që kërkonin një pavarësi kulturore dhe gjuhësore nga bota islame dhe ortodokse greko-sllave. Por Abetarja e gjuhës shqipe me shkronja arabe shihej nga intelektualët pro botës islame si një nevojë e kohës, ku feja dhe kultura islame dominonte ashpër në çdo aspekt të jetë kulturore, politike dhe shoqërore tek shqiptarët.

Hoxhë Rexhep Voka-Tetova, pasi  përpiloi alfabetin shqip me shkronja arabe, hartoi edhe Abetaren po me këto shkronja, të cilën e titulloi “Abbeja skip”. Abetarja u botua në Stamboll, më 1910, dhe kishte rreth 20 faqe me një dedikim :“Popullit të zgjuar shqiptar, që fëmijët të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën e vet”. Kjo Abetare u botua  me një tirazh prej 10.000 kopjesh. Duam apo s’duam Abetarja e hoxhë Rexhep Vokës-Tetovës ka qenë dhe është pjesë e historisë sonë në përpjekjet për një Abetare të gjuhës shqipe.

Abetaret me shkronja greke, sllave apo arabe i përkasin studimeve historike si vlera të asaj kohe, si përpjekjet e shqiptarëve për të patur Abetaren dhe Alfabetin e gjuhës shqipe që gjuha jonë të mos ishte një Atdhe i humbur.