NGa Abdulla Mehmeti

Zgjedhjet e reja parlamentare do të jenë tepër të dobishme për stabilitetin, forcimin e kapaciteteve demokratike të shtetit dhe të ardhmen europiane të Maqedonisë, duke pasur parasysh krijimin e realitetit të ri mes forcave politike në vend, të krijuar pas zgjedhjeve vendore të tetorit, me të cilat u krijuan mundësi për reflektimin e këtij realiteti edhe në organet më të lartë të pushtetit, Parlamentin dhe Qeverinë e Maqedonisë. Raporti aktual mes forcave politike i krijuar me zgjedhjet e fundit parlamantare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, nuk e mundëson realizimin e reformave të parapara sipas programit të Qeverisë aktuale të Maqedonisë.

Në këtë pikëpamje, sidomos shqiptarët në Maqedoni nuk kanë kohë për të humbur. Më tepër se kurrë, forcat e reja politike të shqiptarëve nuk duhet të ndalen në rrugën tanimë të filluar për ndryshime dhe reforma përmbajtjesore, me këtë dhe për realizimin e të drejtave kombëtare të mohuara deri më sot nga pushtetet autoritare dhe jodemokratike të këtij shteti, të sakrifikuara edhe nga vetë partitë politike të tyre, për interesa individuale, grupore dhe partiake, në dëm të interesave kombëtare, por dhe shtetërore.

Kërkesë e vetme dhe me interes jetik për shqiptarët në Maqedoni nuk janë ofertat e rrejshme përmes fushatave parazgjedhore dhe programet e partive politike të shqiptarëve të shpalosura deri më sot, për sferën shoqërore, ekonomike dhe kulturore, por ndryshimi i statusit juridik-kushtetues dhe politik poshtërues për shqiptarët, si pakicë kombëtare, me avancimin e këtij statusi në popull shtetformues në Maqedoni.

Kjo mund të arrihet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese të domosdoshme, për të cilat duhet të hapet dialog i sinqertë dhe përmbajtjesor ndëretnik mes shqiptarëve, partive politike dhe faktorëve të tjerë releventë, me pushtetin aktual në Maqedoni, sigurisht me ndihmën dhe përkrahjen edhe të faktorit ndërkombëtar.

Stabiliteti i shtetit, paqja dhe siguria, marrëdhëniet e shëndosha ndëretnike nuk mund të ndërtohen me raportet aktuale mes etnive, ku shqiptarët ndjehen të diskriminuar, qytetarë të rendit të dytë, qiraxhi në shtëpinë e vet, por si qytetarë plotësisht të barabartë në shtetin e përbashkët, mes maqedonasve, shqiptarëve dhe pjesëtarëve të bashkësive të tjera etnike pakicë.

Këtë realitet nuk mund ta ndryshojnë vetëm partitë, liderët e tyre, as marrëveshjet politike të arritura deri më sot, për aq më pak zgjidhjet me forcë dhe konfliktet ndëretnike, të cilat i kanë kushtuar tepër shtrenjtë këtij shteti në të kaluarën. Kjo çështje thelbësore nuk zgjidhet as përmes zgjedhjeve të lira, përmes opsioneve pa perspektivë, nëse nuk hapet dialog i sinqertë dhe frytdhënës për të mirën e të gjithë qytetarëve të këtij shteti dhe të ardhmen më të mirë të tij, si shtet demokratik, modern dhe me orientim europian.

Qeveria aktuale e Maqedonisë e ka dëshmuar se është e interesuar për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me shtetet fqinje, sado të vështira të duken ato, siç ishte nënshkrimi i marrëveshjes historike për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, gatishmëria për zgjidhjen e kontestimit për emrin e shtetit me Greqinë fqinje, etj.

Atëherë, pse të mos hapet dhe zgjidhet njëherë e përgjithmonë edhe çështja e statusit juridik-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni, kur dihet se njëra nga çështjet e brendshme më të ndjeshme të këtij shteti është ndryshimi i konceptit të shtetit dhe i këtij statusi, me çka shqiptarët do ta ndjejnë veten të barabartë me të tjerët në të gjitha sferat e jetës, me çka do të zgjidheshin në mënyrë të drejtë edhe çështjet tjera, si përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në organet e pushtetit dhe administratë, zhvillimi i barabartë ekonomik dhe investimet në rajonet ku shqiptarët janë shumicë, ndarja e drejtë e buxhetit, decentralizimi i plotë dhe efikas i pushtetit, ndarja e drejtë e njësive të vetëqeverisjes lokale dhe financimi i tyre, rregullimi i statusit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare etj.

Kjo çështje dihet që nuk mund të zgjidhet me programe partiake dhe premtime në fushatat parazgjedhore, por përmes ndryshimeve të domosdoshme kushtetuese, të cilat aktualisht nuk mund të realizohen pa ndryshimin e raportit të forcave politike në organin ligjdhënës të shtetit, ku koalicioni aktual qeveritar mezi e siguron shumicën e thjeshtë. Për ndryshimin e Kushtetutës janë të nevojshme 2/3 e votave të deputetëve në Parlament, të cilat aktualisht nuk mund t’i sigurojë shumica parlamentare ekzistuese.

Nëse vërtet LSDM dhe partnerët e saj shqiptarë në Qeverinë aktuale të Maqedonisë kanë disponim për këto ndryshime të domosdoshme, me këtë edhe për zgjidhjen afatgjatë të çështjes shqiptare në Maqedoni, ashtu siç edhe janë deklaruar para opinionit, duhet sa më parë t’i ndërmarrin masat e nevojshme për sigurimin e shumicës së re parlamentare, të nevojshme për ndryshimet kushtetuese, që mund të arrihet vetëm përmes ndryshimit të raportit të forcave në përbërjen e ardhshme të Parlamentit, përmes zgjedhjeve të reja parlamentare të jashtëzakonshme, të cilat do të mund të organizohen në pranverë të vitit 2018. Çfarëdo arsyetimi për prolongimin e kësaj çështje paraqet papërgjegjësi për të gjitha palët, sepse ky proces i natyrshëm dhe i pandalshëm nëse nuk gjen zgjidhje të drejtë, bart me vete rreziqe të tjera shtesë për të ardhmen e Maqedonisë, me mundësinë e shpalosjes së agjendave të tjera që nuk janë në dobi të paqes dhe sigurisë, demokratizimin e plotë të vendit, zhvillimin ekonomik, progresin social dhe integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

Për t’u arritur e gjithë kjo, pushteti dhe çdo qytetar i këtij vendi, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare dhe gjuhësore, duhet të bindet se organizimi sa më parë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare do të jetë në interes dhe dobi të shtetit: sa më parë, aq më mirë, për shtetin, të gjithë qytetarët e vendit dhe sidomos për shqiptarët në Maqedoni.