Abdulla Mehmeti

Të kesh parti politike të organizuara, siç kanë pasur shqiptarët në Maqedoni që nga viti 1990, me të gjitha strukurat organizative; të jesh pjesë e pushtetit, në parlament, qeveri, ministri dhe organe të tjera; të keshë anëtarë dhe aktivistë në terren, në të gjitha vendbanimet me shqiptarë dhe, ndërkohë organet e pushtetit të përgatitin aq lehtësisht shumë procese të montuara kundër popullit tënd; që të ndërmarrin aksione dhe organizojnë ekspedita ndëshkuese kundër qytetarëve dhe popullatës së pafajshme, me elemente shumë indikative se janë përgatitur dhe montuar nga agjenturat e huaja, sigurisht me pjesëmarrjen edhe të bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, nuk mund të arsyetohet me asgjë dhe mund të shpjegohet vetëm:

– nëse struktuart e një partie politike nuk janë në nëvel të duhur për realizimin e qëllimeve për të cilat janë formuar ato;

– nëse udhëheqësit e një partie politike nuk janë të aftë t’i kryejnë detyrat që u janë besuar dhe kanë marrë përsipër t’i kryejnë;

– nëse shumicën e pjesëtarëve, funskionarë të partisë tënde në pushtet nuk i ke nën kontroll;

– kur në radhët e një partie janë infiltruar elemente të huaja nga qarqet jashtë strukturave që kontrollon ajo parti dhe udhëheqësia e saj;

– kur shumica e drejtuesve të një partie, politikëbërjen e kuptojnë vetëm si bashkim individësh me interesa personale dhe për pjesëmarrje në pushtet;

– kur të mungon platforma politike e qartë dhe nuk ke ndërtuar asnjëfarë strategjie politike; dhe

– kur përfundimisht një udhëheqësi partie nuk është në nivel të detyrës për t’i dalur zot çështjes për të cilën është zotuar dhe për të cilën ka marrë mbështjetje nga anëtarësi e gjerë dhe elektorati.

Si ka mundësi që për një periudhë të gjatë kohore, afër tri dekada me radhë të përsëriten kaq shumë afera dhe procese të montuara, gati të ngjashme njëra me tjetrën, pavarësisht se cila parti politike e shqiptarëve ka qenë në pushtet?

Si ka mundësi që asnjërin proces të montuar, asnjërën aferë politike, asnjërën nga ekspeditat policore ndëshkuese kundër shqiptarëve në Maqedoni të mos kesh kapacitete për ta parandaluar, kur disa prej tyre kanë qenë tepër të tejdukshme, me gjasa të mëdha se mund të ndodhin, se janë në përgatitje e sipër dhe ndodhin para këmbëve dhe syve të një strukture politike të organizuar mirë?

Që nga vrasja e disa qytetarëve të pafajshëm në Bit Pazarin e qytetit të Shkupit, kinse për shitblerje të ,,paligjshme” të disa pakove me cigare, e deri në rastet më të komplikuara, siç janë Rasti i Kumanovës dhe ,,Monstra”, një strukturë politike serize dhe e organizuar, me pjesëmarrje të gjerë në të gjitha nivelet e pushtetit, është tepër vështirë të kuptohet pa koketimin e ndonjë strukture të brendshme partiake me elemente të dyshimta në organet e pushtetit të derisotëm, të lidhura me shërbimet sekrete dhe për interesa të huaja!