Presidenti Hashim Thaçi muaj më parë paralajmëroi se është duke e shkruar autobiografinë e tij, dhe se ajo do të publikohet shumë shpejt.

Por, tani në tregun ndërkombëtar ka dalë një libër biografik për Presidentin Hashim Thaçi, me një titull lartësues “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography” – e cila po shitet me një çmim prej 16 funtesh, nëpërmjet kompanisë Amazon.

Autorët e librit janë si duket emra me nam. Bëhet fjalë për Roger Boyes, i cili ëhtë gazetar i njohur i të përditshmes The Times dhe korrespondent nga Berlini, autor i shumë librave. Ndërsa bashkautore është Suzy Jagger. Vetë shkrimtarët e librit nuk i kanë kyrsyer fjalët për shefin e shtetit të Kosovës. Në Presidencë deri më tani nuk kanë folur për këtë libër, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse Thaçi ka paguar autorët.

Në një fragment të librit, që është shfaqur në kopertinë, Presidentit aktual të Kosovës i jepen merita të madha për zhvillimet në Kosovë – thuhet se  Thaçi ka udhëhequr revolucionin kundër Millosheviqit, duke e bindur Perëndimin që ta bombardojë Beogradin.

“Në një kohë kur angazhimet ushtarake të Perëndimit kanë shkaktuar dhunë sektariane, terrorizëm global dhe janë shndërruar në katalizator për eksodin më të madh të migrantëve që nga Lufta e Dytë Botërore, intervenimi i NATO’s në Kosovë mbetet rast unik dhe shembull i përkryer i një procesi që çoi drejt një tranzicioni nga lufta vicioze etnike drejt demokracisë moderne. Më pak se 20 vjet më parë, një shqiptar etnik i quajtur Hashim Thaçi, udhëhoqi revolucionin kundër Sllobodan Millosheviqit, tiranit serb me forcën më të madhe ushtarake në Evropë, dhe bindi Perëndimin që ta bombardojë Beogradin duke e larguar nga Kosova”.

“Ky libër është një tregim për suksesin e rrallë të intervenimit ushtarak të Perëndimit dhe biografia e parë e Presidentit të ri të Kosovës, shtetit më të ri në Europë”.