Kryetari i LDK’së Isa Mustafa vazhdon të besojë se Haki Rugova do të jetë kryetar i Istogut, përkundër se numërimi i votave me kusht dhe postë ka përmbysur rezultatin, duke e nxjerrë në epërsi Gani Dreshajn e AAK’së.

“Haki Rugova është Kryetar i Istogut”, ka shkruar ish-kryeministri në facebook.

“Kemi argument të mjaftueshme për keqpërdorime që janë bërë me votat me postë për Istogun. Kanë votuar njerëzit e vdekur, i kemi fotot e varrezave të tyre, vëzhguesit kanë vërtetuar pliko të njëjta për të gjitha postimet, printer të njëjtë dhe letër të njëjtë”, vazhdon shkrimi i tij.

“Janë falsifikuar identitetet e votuesve”, ka thënë Mustafa, duke paralajmëruar: ”Këto fakte do t’ia ofrojmë PZAP-it dhe Prokurorisë së shtetit”.

“Prandaj mos u mashtroni se ka fituar Gani Dreshaj”, porosit në fund Isa Mustafa.

Ndryshe, pas numërimit të votave me kusht dhe atyre më postë, të enjten në QNR në Prishtinë, Gani Dreshaj ka dalë më 671 vota epërsi ndaj Haki Rugovës. I njëjti dallim në epërsi mes dy kandidatëve ka qenë edhe sipas rezultateve preliminare të KQZ’së, porse atëherë Haki Rugova i LDK’së kryesonte me këtë diferencë ndaj Gani Dreshajt të AAK’së.