Zyra e Komitetit të Helsinkit për të drejta të njeriut e Republikës së Maqedonisë të dielën në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale do të jetë e hapur gjatë tërë ditës me qëllim që t’u mundësohet qytetarëve të paraqesin shkelje të së drejtës zgjedhore.

Qytetarët mund t’i parashtrojnë paraqitjet duke i cekur të dhënat e veta personale apo në mënyrë anonime. Të gjitha paraqitjet në Komitet do të hetohen plotësisht me qëllim që të verifikohet besueshmëria e tyre.

“Komiteti i inkurajon të gjithë qytetarët të cilët konsiderojnë se e drejta e tyre zgjedhore është shkelur, ta paraqesin rastin në zyren e cila ndodhet në rrugën “Naum Naumovski Borçe” nr. 83 në Shkup. Nëse qytetarët nuk janë në mundësi të vijnë në hapësirat tona, rastet e shkeljes së të drejtës zgjedhore mund ta paraqesin edhe përmes numrit të telefonit 02-3119-073″, thuhet në kumtesën e Komitetit të Helsinkit.

Nga atje theksojnë edhe se krahas paraqitjes personale dhe telefonike, është mundësuar edhe paraqitja përmes e-postës në [email protected]. Paraqitjet përmes e-postës duhet të përmbajnë arsyertim të shkurtë për shkeljen e ndodhur, lokacionin – njësinë zgjedhore dhe numrin e vendvotimit dhe kohën e ndodhjes së shkeljes së të drejtës zgjedhore.

Fshehtësia dhe moscënimi i të dhënave personale janë të garantuara nga ana e Komitetit të Helsinkit dhe ato nuk do të publikohen pa leje paraprake nga ana e qytetarëve që e kanë paraqitur shkeljen.