Zidane nuk është i shqetësuar për Ronaldon.

Katër herë fituesi i “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo, nuk e ka nisur mirë sezonin e ri në La Liga, për dallim nga Champions League, që është golashënuesi më i mirë me 5 realizime.

Pas nëntë xhirove në La Liga, Ronaldo ka shënuar vetëm një gol – diçka e çuditshme për një lojtar si portugezi që ka shkuar deri në 48 finalizime në La Liga brenda një sezoni.

Por, është trajneri Zinedine Zidane ai që ka mbrojtur portugezin nga kritikët duke thënë se nuk është i shqetësuar që Cristiano po vuan për gola në këtë fillim sezoni.

“Ronaldo është lojtari më i mirë i gjeneratës së tij. Ai gjithmonë shkëlqen në ndeshje të mëdha dhe bën diferencën”, tha Zizu.

“Gjitha çmimet që ka fituar dhe ato që do t’i fitojë në të ardhmen, janë mëse të merituara. Ai gjithmonë tregon se dëshiron të jetë më i miri dhe sigurisht që është”.

“Kurdo që nuk shënon gol, ju më pyesni çfarë po ndodh, por ne nuk jemi të shqetësuar. Do të ishte më mirë për të që të shënonte, sepse gjithmonë është i lumtur kur realizon, por ai po krijon shanse”.

“Është sezon i gjatë dhe me kohë golat do të vijnë. Për këtë jemi të relaksuar”, theksoi mes tjerash Zizu