Përfaqësuesit e LSI në administratë kanë kryer me dhjetra shkelje abuzive. Gazeta “Sot” ka bërë një përmbledhje të gjetjeve të KLSH, të katër institucioneve të drejtuara nga LSI. Militantët e kësaj force politike i kanë shkaktuar shtetit 20 milionë euro dëm. Rasti më flagrant është Autoriteti Rrugor pasi dëmi ekonomik që llogaritet sipas aludimeve të KLSH është 16 milion euro. Përgjegjës për këtë dëm sipas KLSH është ish-drejtori Dashamir Xhika si dhe pesë nëpunës të tjerë. Madje vetë KLSH e ka paditur në prokurori ish-drejtorin e ARRSH Dashamir Xhika qysh më 2016 por prokuroria deri më tani nuk ka marrë asnjë masë kundrejt këtij të fundit, i cili deri para pak ditësh vazhdonte të mbante postin e drejtorit të ARRSH. Gjatë kohës që Xhika ka qenë në krye të ARRSH-së ka kryer abuzime të shumta pasi nuk u ka kërkuar asnjëherë subjekteve që kanë kryer punime në akset rrugore llogari për punimet me cilësi të dobët. Sakaq përveç abuzimeve në tendera, ish-kreu i ARRSH ka bërë abuzime të shumta edhe sa i përket dëmtimit të pasurisë publike dhe vënies së saj në interes të privatit. Sakaq një tjetër shkelje sipas KLSH që drejtori Xhika ka bërë kur ka qenë në krye të këtij institucioni ishte rritja artificiale e fondit limit prej 100 mln lekësh për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës. Vetëm gjatë periudhës që ish-drejtori Dashamir Xhika i ardhur nga radhët e LSI në krye të ARRSH dëmi ekonomik që ka pësuar ky institucion sipas KLSH arrin vlerën e 16 mln eurove.

Abuzime tek ZVRPP dhe Burgjet

Militantët e ardhur nga radhët e LSI në krye të institucioneve shtetërore kanë kryer abuzime të shumta. Pas ARRSH një institucion tjetër që gazeta arriti të identifikojë në të dhënat e KLSH është dhe zyra e regjistrimit të pasurive. Ndonëse gazeta e ka bërë publike se ka shkelje në ZVRPP edhe më përpara, ka identifikuar se gjatë periudhës 4 vjeçare ky institucion që shumica e punonjësve vinte nga radhët e LSI ka arritur një dëm ekonomik prej 2 milion eurosh. Sakaq KLSH prej kohësh ka kallëzuar në prokurori një pjesë të madhe punonjësish pasi ka identifikuar shkelje masive në kuadrin e regjistrimit të pasurive dhe dëmet ekonomike. Por përveç ZVRPP-ve një tjetër institucion që ka shkelje masive sa i përket dëmit ekonomik është Drejtoria e Burgjeve. Në këtë drejtori dëmi ekonomik ka arritur shifrat e 1 milion eurove. Ndonëse ish-drejtori i kësaj drejtoria Artur Zoto vazhdon përballjen e tij me gjykatën për këto abuzime. Në këtë drejtori sipas KLSH dëmet ekonomike janë shkaktuar kryesisht nga abuzimet me tenderat e ushqimeve pasi një pjesë e këtyre tenderave përfitohej në rrugë të jashtëligjshme nga ish-drejtori që vinte nga radhët e LSI.

Ministria e Mjedisit

Institucioni i katërt që drejtohej nga LSI dhe ka pasur shkelje është Ministria e Mjedisit. Sipas të dhënave të KLSH rezulton që dëmi ekonomik i këtij dikasteri kap shifrën e 1 milion eurove. Sipas KLSH kjo ministri ka lëshuar leje të shumta mjedisore në kundërshtim me ligjin si dhe ka abuzuar me tendera. Madje Ministria e Mjedisit sipas KLSH ka shpenzuar më shumë lekë se ç’kishte parashikuar Ministria e Financave për këtë institucion. Pasi me këto shpenzime të pakontrolluara apo dhe abuzime të tjera kjo ministri ka krijuar një gropë në buxhetin e shtetit.