Koalicionimi mes Lëvizjes Besa dhe ASH mbetet një koalicionim numrash pas rezultateve të 15 tetorit që realisht mbase nuk sollën atë rezultat që kishin projektuar paraprakisht.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Përtej euforive të çastit, rreshtimeve dhe rirreshtimeve politike, ndodhen realietet e kombinatorikave zgjedhore që kryesisht ndërlidhen me pushtetin si synim parësor dhe jo për ideale tjera siç po tentohet të trumbetohet. Padyshim demokracia i njeh koalicionimet dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, sepse jemi në këtë terren të vlerave universale politike.

Ajo që duhet të sqarohet mbetet fryrja “melodramatike” e koalicionimit me pomopozitet “patriotik” dhe filma  “idealesh” të mëdha karshi thelbit të vetë zgjedhjeve që janë në process dhe që ndërlidhen me pushtetin lokal, që është një pushtet thellësisht konkret dhe qytetar.

Pa u futur në analiza tjera të funskionimit të partive politike, të qëndrimeve që kanë shfaqur më herët dhe gjithë atmosferës së mëparshme përplasëse në esencë, koalicionimi mes Lëvizjes Besa dhe ASH mbetet një koalicionim numrash pas rezultateve të 15 tetorit që realisht mbase nuk sollën atë rezultat që kishin projektuar paraprakisht.

Dhe, sigurisht, në këtë situatë të disfavorshme numrash vdesin “ideologjitë”, gjithë ato kundërvënie ngjanjëherë edhe të ulëta mes këtyre dy subjekteve. Matematikat për pushtet duket se gjithmonë ngadhënjejnë mbi “ideologjitë” e proklamuara. Zakonisht, në këtë situatë, nga terreni ideologjik hyhet në terrenin pragmatik të kalkulimeve për pushtet. Nuk do mend se politika gjithmonë e synon pushtetin dhe kjo mbetet esencë e vetë politikës. “Mëlmesat” tjera “eforike” mbeten për mobilizime për rrethin e dytë të zgjedhjeve që pritet të mbahen më 29 tetor.

Nga ky moment, tashmë është e sigurt se do të kemi një betejë mes koalicionit BDI-LSDM që do të përpiqet të ruajë fitoret dhe t’i zgjeroj në rrethin e dytë dhe koalicionit Lëvizja Besa ASH që do të përpiqet të ngadhënjej duke llogaritur në bashkimin e votës të dy subjekteve. Zhvendosja e betejes në aspekte tjera duket se nuk do të pijë ujë për shkak se qytetarët tashmë e kanë perceptuar se janë në zgjedhje lokale dhe jo në ndonjë “betejë”tjetër që projektohet si “momentum” për mobilizim elektoral.

Data 29 tetor do të tregojë nëse ky bashkim do të mund të valorizohet në bazë të pritjeve. Në esencë gjithë procesi për zgjedhjet lokale mbetet “shumë zhurmë për asgjë”, sepse mbetet i paprekur në qasje natyra e funksionimit të pushtetit lokal. Maqedonia ka një pushtet lokal më të centralizuar në Europë dhe komunat mbeten të ekstremisht të kufizuara në finacimin e tyre. Kjo e vertetë i deplason pallavrat e rrejshme patriorike dhe e vendos në rend të parë pragmatizmin politik, në fakt pushtetin si qëllim në vetvete!