Sonte në Tetovë jemi për të konfirmuar mbështetjen për kandidaten e BDI-së dhe kryetaren e ardhshme të Tetovës, zonja Teuta Arifi. Që në rrethinë e parë, si partnerë të koalicionit qeverisës, bashkë me BDI-në vendosëm bashkëpunim edhe në këto zgjedhje lokale, një koalicion transparent dhe për një Maqedoni Evropiane. Kështu tha kryeministri, njëherësh kryetar i LSDM-së, Zoran Zaev, sontë në Tetovë, duke uruar që të dielën, njëjtë sikurse në rrethin e parë, zgjedhjet lokale të zhvillohen në nje atmosferë të qetë, fer dhe demokratike, raporton TetovaSot.

I shoqëruar nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi dhe zyrtarë tjerë dhe anëtarë të Shtabit zgjedhor të BDI-së, Zaevi është shprehur se bashkë me kryetarin e BDI-së, ndjehet krenar për këtë bashkëpunim.

“Ne si liderë dhe parti politike krenohemi, sepse që nga pavarësia e Republikës së Maqedonisë, që në rrethin e parë është realizuar një koalicion ndërmjet dy partive në mënyrë kaq transparente, dhe shumë të rëndësishëm për qytetarët e Maqedonisë. Me këtë rast, shfrytëzoj rastin qe njëjtë sikurse në rrethin e parë, të apeloj deri tek qytetarët e Tetovës qe edhe të dielën ta mbështesin zonjën Arifi për mandatin e dyte për kryetare të Komunës, një kryetare grua që rrallë mund ta shohim në ndonjë komunë tjetër. Me zonjën Arifi kryetare dhe me ndihmën e Qeverisë, Tetovën e pret e ardhme e shkëlqyer”, është shprehur nga Tetova kryeministri Zoran Zaev./TetovaSot/