Maqedonia po ndryshon, po bëhet më e mirë dhe nuk ka kthim mbrapa, nuk do ta tradhtoj besimin tuaj, e keni fjalën time, porositi sonte kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

“Prej jush qytetarëve kërkoj mbështetjen si koalicion i bashkuar i majtistëve, djathtistëve, qendrës, liberalëve, të gjelbërve, të gjithëve. Të ndërtojmë komuna shërbyese dhe të zhvilluara, komuna dhe qytete të cilat do të punojnë për qytetarët”, theksoi ai në tubimin qendror në Shkup të koalicionit “Për jetë në Maqedoni”, të kryesuar nga LSDM.

Zaev shtoi se në katër muajt e kaluara, pasi filloi me punë Qeveria e re me parime dhe politika të reja.

“Treguam se jemi njerëz të fjalës, se jemi të përkushtuar në mënyrë serioze dhe ekonomike se në Maqedoni në mënyrë të ndershme mund të ketë ndryshim real”, porositi lideri i LSDM-së.

Si simbol i kohës së re paralajmëroi se “tanku” i Nikolla Gruevskit, gjegjësisht mercedesi qeveritar prej 600 mijë euro do të shitet dhe me paratë e vlerës aktuale të tij do të blihen automjete ambulante.

Duke e kërkuar mbështetjen e qytetarëve Zaev e potencoi bashkëpunimin e pushtetit qendror dhe lokal dhe përkujtoi se në katër muajt e kaluar është krijuar plan për rritje ekonomike, kompani vendore janë në fokusin, ndërsa ka mbështetje edhe për investitorët e huaj.

Shteti, tha ai, do të lëshojë para në ekonomi që ta parandalojë derdhjen e të rinjve dhe do t’ju ndihmojë bujqve. Ai paralajmëroi se për zhvillimin e biznesit në Maqedoni nga buxheti për vitin 2018 janë planifikuar miliona euro dhe qindra milionë euro nga Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare.

Zaev theksoi se Qeveria e re për katër muaj e nxori Maqedoninë prej izolimit ndërkombëtar.

“U pajtuam me fqinjët. Nga Bullgaria bëmë mik dhe aleat për eurointegrime. I stabilizuam dhe i zhvilluam marrëdhëniet me Serbinë. Marrëdhëniet me Shqipërinë dhe Kosovën janë në nivelin më të lartë dhe pa çështje të hapura. Kemi dialog të sinqertë me Greqinë. Maqedonia sot është mik me fqinjët, vend i cili fuqishëm hapëron ndaj NATO-s dhe BE-së”, porositi Zaev.

Ai shprehu bindjen se Maqedonia do të jetë anëtarja e 30-të e NATO-s.

“Sot po e kërkoj mbështetjen që së bashku ta çlirojmë Maqedoninë prej pjesës së mbetur të regjimit, të vijë jetë më e mirë në çdo fshat, çdo qytet. U bashkuam me organizatat e qytetarëve dhe me 22 parti politike dhe prej jush e kërkojmë mbështetjen që të krijojmë komuna shërbyese dhe të zhvilluara, të cilat do të punojnë dhe do t’i lidhin qytetarët dhe të cilat do t’i kthejnë paratë, mbrapa tek qytetarët”, tha Zaev.

Në mitingun qendror në Shkup Zaev premtoi se Qeveria do t’i ndihmojë kryetarët e komunave dhe këshillat të lëshojnë më shumë para tek qytetarët,të krijojnë më shumë mundësi për punë për të rinjtë, si dhe të ofrojnë kushte për arsim më cilësor dhe shëndet në fshatrat dhe qytetet e tyre.

“Dëshirojmë përmes decentralizimit efektiv t’i aftësojmë komunat, t’ua japim të gjitha veglat që të mund të punojnë në interes të qytetarëve”, tha Zaev.

Kandidati i LSDM-së për kryetar të Shkupit, Petre Shilegov në fjalimin e tij theksoi se ai dhe ekipi i tij kanë një plan të organizuar dhe funksional që Shkupi të bëhet me të vërtetë një qytet evropian.

Ai u fokusua në mbrojtjen e mjedisit jetësor, gasifikimit të qytetit, zgjidhjes së problemit me trafikun rrugor, të rinjtë.

Në vend të ndërtesave barok, ai paralajmëroi parqe, në vend të gjelbërimit të humbur fidane të rinj.

“Për katër vite Shkupi do të bëhet qytet ekologjik dhe jo si deri tani qytet i stiroporit dhe stilit neobarok”, tha Shilegov.

Theks të veçantë i kushtoi kujdesit për Vodnon, që, siç tha  më nuk do të jetë mal i zhveshur, por përsëri do të bëhet qendër rekreative, me regjim të veçantë qarkullimi, pjesët e zhveshura do të pyllëzohen dhe mali sërish do të jetë një oazë gjelbërimi.

Kandidati i LSDM-së paralajmëroi se çdo banor i Shkupit do të ketë mundësinë që të mbjellë një pemë për fëmijën e tij të sapolindur.

Mënyra e ngrohjes së shtëpive është një nga prioritetet e ekipit të Shilegov. Ai theksoi se druri për ngrohej në amviseri është një nga ndotësit më të mëdhenj dhe paralajmëroi vitin që vjen projekt të gasifikimit të kryeqytetit.

“Do të fillojmë pikërisht me ato lagje të cilat nuk janë të kyçura në rrjetin e ngrohjes qendrore”, tha kandidati për kryetar të Shkupit të LSDM-së.

Paralajmëroi  transport  të organizuar më të lirë dhe ekologjik me gaz ose autobusë elektrikë.

LSDM e vazhdoi perspektivën e tubimeve qendrore që të dëgjojë mendimet e aktivistëve, të cilët kryetarëve të ardhshëm i kërkuan që para së gjithash të punojnë në interes të qytetarëve, të bëhen shërbëtorë të qytetarëve.

Ata kërkuan zgjidhjen e problemit me ajrin e ndotur, mbrojtjen e mjedisit të jetesës, zgjidhjen e trafikut rrugor, hapjen e kopshteve të reja, zgjidhjen e problemit me ngrohjen.

Në tubimin qendror merrnin pjesë edhe kandidatët e kryetarëve të komunave dhe bartësit e listave të këshilltarëve nga të gjitha komunat.