Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se është informuar lidhur me vendimin e deputetit Çedomir Sazdovski që ta braktisë partinë e tij GROM dhe të veprojë si deputet i pavarur në Parlament, e respekton atë vendim dhe është i gatshëm për bashkëpunim me të, por edhe me të gjithë deputetët për gjithçka që është në interes nacional dhe në interes të të gjithë qytetarëve.

“Unë jam mik i mirë me Çedomir Sazdovskin, ai është ish-kryetar i degës sonë komunale të Kisella Vodës dhe kam pasur takime si edhe me deputetë të tjerë në Parlament. Gjithsesi se kemi biseduar, duke u bindur të gjithë së bashku, të jemi në një platformë të përbashkët me atë që është interes i përbashkët i Maqedonisë. Unë i përshëndes vendimet e këtilla, dhe ofroj dorë bashkëpunimi, gjithsesi, edhe me deputetin Çedo Sazdovski, ndërkaq besoj se do të ketë edhe të tjerë të tillë deputetë për arsye se sipas të gjitha gjasave është e natyreshme të ndodhin procese të këtilla. Ajo që për mua, si kryetar i Qeverisë që Maqedonisë, është me rëndësi të bisedojmë për gjithçka që është në interes për të gjithë qytetarët, për gjithçka që është interes kombëtar i RM-së dhe për gjithçka që është strategji dhe prioritet i shtetit – Evropa, NATO-ja, fqinjët tanë, avancimi i kushteve të përgjithshme për jetë”, tha Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp me kryesuesin e Këshillit të BeH-së, Denis Zvizdiq.

Ai shtoi se pret të ketë bashkëpunim me të gjithë deputetët, dhe se beson se do të ketë edhe të tjerë, të cilët, thotë, nuk mund të durojnë në presionin e nacionalizmit, armiqësive apo çfarëdo lloj arsyetimesh që në të kaluarën kanë ndodhur nga oponentët tanë.

Edhe njëherë i dërgoi porosi opozitës se në këto zgjedhje qytetarët bënë me dije se çfarë të ardhme presin dhe se në të ardhmen edhe opozita do të duhej ta ndryshojë raportin e vet.

“Dëshiroj ta përsëris porosinë tonë dhe ajo që është pritje e jona – opozitë e fuqishme do të thotë pushtet i fuqishëm, opozitë e dobët do të thotë pushtet i çorientuar. Dhe duke e thënë këtë, dëshiroj të dërgoj porosi të ndershme drejt oponentit tonë politik, por njëkohësisht të dërgoj porosi për aq sa është e mundur, konstruktivitet më të madh edhe në Parlament, nëpër institucione të sistemit sepse jam i bindur se i tërë rajoni dhe RM janë ndoshta para mundësisë së papërsëritshme të cilën shteti duhet ta shfrytëzojë”, tha kryeministri Zoran Zaev.