Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev prej tubimit të sontëm në Shtip porositi se komunës i duhen ndryshime, të cilat do të bëhen me stilolaps në dorë dhe me dalje masovike në vendvotime më 29 tetor, duke i dhënë mbështetje kandidatit për kryetar të LSDM-së, Bllagoj Boçvarski.

“Jam i bindur në fitoren në Shtip pasi që këtë e di edhe Zahariev, se këshillin e fituam. Ja që era po përhapet në Maqedoni dhe ata që ishin të frikësuar edhe ata që u shantazhuan e dinë se ndryshimet po ndodhin në Shtip”, porositi Zaev.

Ai theksoi se kandidati për kryetar komune, Bllagoj Boçvarski, shumica e këshillit të komunës së Shtipit, ministrat në Qeveri dhe 23 partnerët e koalicionit po dërgojnë mesazh se faqja e re për Shtipin dhe për Maqedoninë do të thotë fund i ndarjeve edhe të politikbëries.

“Mjaft më na ndanë në LSDM-istë dhe VMRO-istë, të gjithë jemi qytetarë. Prej këto ndarje Maqedonia nuk bën. Prandaj shtrini dorën gjithkujt. Ndihmojuni atyre që duan të qasen. Ju thoni se për ne të gjithë qytetarët do të jenë të njëjtë”, tha Zaev.

Sipas tij, Shtipit i duhet kryetar komune me energji dhe frymë të re.