BESA humbi për shkak të afrimit ne VMRO, ndërsa koalicioni Aleanca për Shqiptarët me BESËN, do të përfundojë me vetëvrasje politike për Ziadin Selën në Strugë.

Kështu në emisionin “360 gradë” në Alsat-M ka thënë gazetari dhe analisti politik Xhelal Neziri, sipas të cilit, ky koalicion nuk do t’i sjellë ndonjë përfitim të theksuar asnjërës nga këto dy partitë, ndërkohë që do ta dëmtojë shumë liderin e LR-PDSH-së, Zijadin Sela. “Gjasat që Sela të fitojë Strugën janë minimale. Në momentin kur ASH duhej të profilohet si parti e dytë te shqiptarët, pasi kishte rritje prej 14 mijë votash, Sela vendosi të lidhë koalicion me BESË-n, një parti me rënie prej 11 mijë votash për dhjetë muaj. Me këtë rrezikon të humbë edhe pushtetin lokal në Strugë, edhe atë qendror”, ka thënë Neziri, duke i cilësuar këto veprime si “vetvrasje politike”.

Ai më tej ka thënë se humbja e votave të BESËS lidhet edhe me afrimin që kjo parti pati me VMRO-në. “Rënie të madhe në raport me zgjedhjet e fundit parlamentare ka BESA – rreth 11 mijë vota të cilat duken se kanë kaluar në konto të LSDM-së, BDI-së, ose ndoshta bëhet fjalë për abstenim. Kjo rënie BESË-s ka të bëjë me politikat jokonzistente dhe të pamenduara, të cilat dukeshin sikur nuk kanë vizion të qartë dhe strategji, veçanërisht me afrimin e tyre ndaj VMRO-PDMNE-së“, është shprehur Neziri në emisionin “360 gradë” në Alsat-M.

Ai ka theksuar se lidhja e këtij koalicioni ka për qëllim shpëtimin e karrierave politike të krerëve të BESË-s dhe ASH-së dhe nuk ka lidhje me interesin më të gjerë të këtyre partive, e lëre më atë të përgjithshëm. “Asnjë pengesë nuk kishte që koalicioni të lidhet para raundit të parë. Nëse do të ndodhte kjo, ky koalicion do të fitonte këshillat komunalë, ku votohet për partitë, në disa komuna. Tani, kur i panë rezultatet se si parti BDI ka dalë fituese në pjesën më të madhe të këshillave komunalë ku kanë garuar partitë shqiptare, ata brenda orësh arritën koalicion. Por, ky koalicion ka të bëjë vetëm për kandidatët, pasi për partitë zgjedhjet përfunduan”, është shprehur Neziri.