Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi sot u tkaua me ambasadorin e Republikës së Kubës, Pablo San Horhe Rodrigez, ku u potencuan marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe nevoja që të njejtat të përforcohen dhe të thellohen.

Xhaferi, siç informojnë nga kabineti i tij, e ka informuar ambasadorin kubanez se në Kuvend është formuar Grupi parlamentar për bashkëpunim me vendet e Amerikës Latine dhe Karaibeve, dhe theksoi se do të japë kontributin e tij në përforcimin e bashkëpunimit parlamentar ndërmjet të dyja palëve.

Kryetari Xhaferi e theksoi bashkëpunimin e mirë multilateral, veçanërisht në kuadër të OKB-së, si dhe mbështetjen të cilën Republika e Maqedonisë e jep për miratimin e Rezolutës në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së për shfuqizimin e sanksioneve ndaj Kubës nga ana e SHBA-së.

Xhaferi, gjithashtu, e mbështeti nënshkrimin e “Memorandumit për bashkëpunim”, ndërmjet ministrive të punëve të jashtme të të dyja vendeve dhe shfaqi shpresë se në periudhën e ardhshme do të nënshkruhen edhe marrëveshjet bilaterale në sferën e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor.

Ambasadori i Kubës, Pedro Pablo San Horhe Rodrigez, e theksoi kënaqësinë dhe falënderimin e vet për takimin me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe shpresoi se ky takim do të jetë nxitje për zgjerimin dhe përforcimin e bashkëpunimit të ardhshëm ndërmjet të dyja palëve.

Ai i transmetoi përshëndetjet nga Kryetari i Parlamentit të Kubës, si dhe ftesën e hapur për Kryetarin Xhaferi që ta vizitojë Republikën e Kubës në periudhën e ardhshme.

Ambasadori i Kubës i theksoi marrëdhëniet diplomatike dhe politike mike ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Kubës, veçanërisht bashkëpunimin në kornizat e OKB-së dhe potencoi se Kuba e vlerëson mbështetjen nga Republika e Maqedonisë për miratimin e Rezolutës në kornizat e OKB-së për ndërprerjen e sanksioneve ndaj Republikës së Kubës nga SHBA-ja.

Ambasadori e theksoi edhe mbështetjen e Kubës në rrugën drejt integrimeve euroatlantike të vendit tonë dhe në këtë drejtim e përshëndeti Marrëveshjen për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bulgarisë, si hap i mëtejshëm në afrimin me BE-në.

Në fund, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se në periudhën që vjen do të punojnë në thellimin e bashkëpunimit reciprok.