Heqja e regjimit të vizave për hyrjen e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në Meksikë do të ishte me rëndësi të veçantë për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke e marrë parasysh se Maqedonia tani më i ka abroguar vizat për qytetarët e Meksikës, ndërsa komunikimi do të lehtësohej me emërimin e konsullit të nderit të Meksikës në Republikën e Maqedonisë, theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi në takim me kryetarin e senatit të Meksikës Ernesto Kordero Arojo në margjinat e Asamblesë së 137-të të Unionit Interparlamentar (UIP), që mbahet në Shën Peterburg

Xhaferi dhe Arojo shprehën kënaqësi nga realizimi i këtij takimi të parë zyrtar ndërmjet kryetarëve të dy parlamenteve dhe nga mundësia për këmbimin e mendimeve për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Xhaferi konstatoi se, edhe përskaj distancës së madhe gjeografike, ekziston mundësi për përforcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar në nivel multilateral në kuadër të Unionit Interparlamentar, si edhe në nivel bilateral.

Ai informoi se në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, tani më është formuar grupi i deputetëve për bashkëpunim me parlamentet e vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve. Njëkohësisht, kryetari theksoi se Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, do e mbështesë kandidimin e senatores Kuevas Baron për kryetare të UIP, duke e marrë parasysh biografinë e saj mahnitëse dhe përvojën e saj të pasur ndërkombëtare, si në suazat e Unionit interparlamentar, ashtu edhe në asambletë tjera interparlamentare.

Kryetari i Senatit të Meksikës, Arojo, theksoi se për Meksikën është me rëndësi të madhe që Kueves Baron të zgjidhet kryetare e Unionit Interparlamentar dhe theksoi se senatorja e ka përkrahjen e të dy shtëpive, të Kongresit dhe të Qeverisë së Meksikës.

Ai u pajtua se marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Meksikës, shënon zhvillim pozitiv por edhe se ka hapësirë të mjaftueshme për thellimin e tyre të mëtutjeshëm.

Arojo e ftoi kryetarin e Kuvendit të Republikës të vijë në vizitë zyrtare në Meksikë.

џафери

Senatorja Gabriella Kuevas Baron theksoi se si kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme në Senatin meksikan, do të angazhohet për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve dhe për abrogimin e vizave për hyrje në Meksikë për qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Ajo u falënderua për përkrahjen e shprehur për kandidimin e saj.

Në fund të takimit, kryetarët e parlamenteve u pajtuan se me promovimin e diplomacisë parlamentare, do të hapet mundësi për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Meksikës, si në plan parlamentar, ashtu edhe në të gjitha fushat tjera.