Gjatë vizitës zyrtare të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Serbi, para pallatit presidencial ishin vendosur dhjetëra kamera që kanë filmuar një bisedë joformale mes presidentit turk dhe atij serb.

Sipas mediave serbe, pasi Vuçiç e priti homologun e tij dhe parakaluan nëpër tepihun e kuq para gardës, ai u njoftua me anëtarët e kabinetit të qeverisë së Serbisë, ku shtrëngoi duart me secilin prej tyre.

I pari që bisedoi me Erdoganin ishte shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç i cili tashmë njihet dhe është takuar disa herë me presidentin turk. Duke tentuar t’i ngrejë nivelin e humorit, Vuçiç i është drejtuar atij duke i thënë se Daçiç nuk është ndoshta i disponueshëm pasi i pëlqen të flejë gjatë.

Fillimisht Daçiç dhe Erdogan shkëmbyen disa fjalë në gjuhën angleze, dhe më pas Vuçiç filloi t’ia shpjegojë situatën në gjuhën serbe. “Atij nuk i pëlqen të zgjohet herët”, i ka thënë Vuçiç, Erdoganit për ministrin Daçiç, ku më pas që të tre filluan të qeshin. “Ju flisni shqip e serbisht perfekt”, i ka thënë Vuçiç Erdoganit dhe më pas u nisën për në pallatin presidencial.