A ka fitues dhe humbës te njëra apo tjetra etni, te njëra apo tjetra shtresë shoqërore, te të pashkolluarit dhe akademikët?

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Germa e parë në demokraci është vlera e njëjtë e votës. Nuk ka demokraci ku vota e një etnie vlen më shumë se ajo e etnisë tjetër.

Vota nuk ka identitet etnik, klasor, gjinor apo racor. Vota është e njëjtë dhe e drejtë e çdo shtetasi të një vendi demokratik.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2016, VMRO-DPMNE akuzoi LSDM-në se ka fituar me votat e shqiptarëve. Ky diskurs nënkuptonte se kjo votë nuk ka vlerë dhe legjitimitet të njëjtë si vota maqedonase.

Tani kemi një retorikë të njëjtë, të gabuar, te “Aleanca me Besë”. Si arsyetim për humbjen përmendin faktin se BDI mori vota nga LSDM-ja, pra votë maqedonase.

Ky narrativ nuk ka gjasa të ndërtohet shkaku i votave maqedonase që kanë marrë të gjithë kandidatët e “Aleancës me Besë” në të gjitha komunat me strukturë të përzier etnike. Nga Çairi e Tetova e deri në Gostivar e Strugë. Mbase kuptohet se të gjithë politikanët nuk kanë guximin këtë ta pranojnë, por habia më e madhe është frika apo mosgadishmeria e disa gazetarëve, mediave dhe analistëve që këtë fakt së paku kalimthi ta përmendin në paraqitjet publike. Kjo nga shkaku i respektit që duhet të kenë ndaj opinionit, shikuesve apo lexuesve të tyre.

Vota është numër i zhveshur nga çdo lloj identiteti, por që përmban në vete një vullnet të garantuar të çdo qytetari.

Vota e akademikut është me vlerë të njëjtë si ajo e analfabetit. Vota e të pasurit peshon njëjtë si vota e të varfrit. Vota e të mençurit numërohet njëjtë si vota e budallait. Vota e qytetarit është e njëjtë si vota e katundarit. Vota e burrit është një, sa edhe vota e gruas.

Politikanët që nuk arrijnë t’i mësojnë këto gjëra të politikbërjes në një vend me sistem demokratik, më mirë është të tërhiqen. Nëse ka për profesion mjekësinë le t’u kthehet pacientëve, nëse ka për profesion teologjinë le t’i kthehet xhematit, nëse është shkencëtar le t’i kthehet universitetit apo institutit.

Politika duhet kuptuar si garë platformash e programesh, e jo regjistrim i popullsisë.