Ndonëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga SHBA-të të përfshihen në fazën e fundit të dialogut me Serbinë, nuk po shihet nismë e duhur.
Avokati Azem Vllasi, ka thënë se nuk po shihet vullneti i SHBA-së të involvohet në dialogun Kosovë- Serbi, por edhe po të ndodh Kosova nuk duhet të mendojë se ka përkrahjen e saj.

“Akoma nuk shihet ndonjë vullnet i shprehur i SHBA-së për t’u involvuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe sikur të ndodh ajo, pala kosovare nuk duhet ta merr automatikisht atë si përkrahje të Kosovës në dialog me Serbinë”, ka thënë ai.

Disa shtete të Unionit Evropian dhe SHBA-së, thotë Vllasi, janë të interesuar që Serbia të ecën përpara drejt integrimeve evropian,  por Serbia atë vullnet të shteteve perëndimore, vazhdon ai, do që ta shfrytëzojë për përfitime të reja në dialog me Kosovën.

“Në Serbi vazhdimisht flasin për dialogun si zgjidhje e çështjes së Kosovës, ndërsa ne dhe bota perëndimore çështjen e Kosovës e konsiderojmë të zgjidhur. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Bisedimet mund të vazhdojnë vetëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur avokati.

Vllasi thotë se Kosova duhet të përqendrohet në tri çështje: heqja e Kosovës nga kushtetuta e Serbinë, të mos ta pengohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të ketë njohje reciproke.

“Është momenti i fund që Kosovë të përqendrohet në tri çështje: e para, heqja e Kosovës nga kushtetuta e Serbinë, ku figuron si Vojvodina. E dyta, Serbia të obligohet të mos ta pengojë Kosovën në procedurat e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. E treta, Serbia të thotë një afat kur do të realizohet normalizimi i plotë ndërshtetëror, që nënkupton pranimin reciprok mes Kosovës dhe Serbisë dhe marrëdhënieve diplomatike”, ka deklaruar mes tjerash Vllasi. /Lajmi.net/