Organet përgjegjëse të drejtësisë janë duke vazhduar hetimet ndaj atentatit të avokatit, Azem Vllasi, i cili u sulmua para disa muajsh në hyrje të banesës së tij.

Prokuroria lidhur me këtë rast ka në plan të marrë në pyetje disa persona të tjerë për të cilët dyshohet se kanë qenë të involvuar e për të cilët thuhet se janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

I dëmtuari në këtë rast, Vllasi thotë se është në dijeni se në sulmin ndaj tij janë të përfshirë anëtarë të partisë së Visar Ymerit.

Sipas tij, dy ditë para se të ndodhte rasti, njëri nga ta edhe i ka telefonuar pasi që e njihte dhe po i njëjti është i dyshuar.

“Unë e kam marr vesh se më së paku tre persona të Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë të involvuar dhe i kanë ndihmuar këtij personi që më ka ardhur në derë. Me njërin u thirr vet ai, tha më ka dërguar filani i cili dy ditë përpara më patë thirr në telefon sepse e njoh. Ai është i Vetëvendosjes, ndërkaq ky tjetri Sadri Ramabaja është poashtu i Vetëvendosjes, kurse emri i personit të tretë nuk e di”, ka treguar ai në një bisedë për Indeksonline.

Vllasi thotë se për të njëjtit dyshohet se e kanë përpiluar listën prej rreth 20 personave e të cilët duhej të eliminoheshin.

Ai thotë se nuk e ka as idenë më të vogël se pse është planifikuar sulmi ndaj tij.

“Prokurori i kësaj lënde ka në planë me i marrë në pyetje disa persona për të cilët ka prova se kanë qenë të involvuar në këtë aktivitetet kriminal lidhur me përpilimin e listës prej 20 personave. Njëri prej tyre tashmë veç dihet që është Sadri Ramabaja, pasi që ai është lajmëru vet, është deklaru sepse e ka thirr Prokuroria. Unë ma tepër nuk di, porse këta të LVV-së nuk janë të thirrur si dëshmitarë por si të dyshuar, të involvuar”, ka shtuar Vllasi.

Ndryshe, po bëhen gati 5 muaj që kur avokati Vllasi u pati qëlluar me armë zjarri në banesën e tij dhe atentari ndaj tij ishte vetëm fillimi i realizimit të planit.