Vjosa Osmani në emër të grupit parlamentar të LDK-së, ka akuzuar Presidentin e vendit, Hashim Thaçin, duke thënë se ai çdo ditë e më shumë po e “degradon” dhe po e turpëron institucionin e Presidentit.

Sipas Osmanit, Thaçi këtë gjë e ka dëshmuar duke favorizuar vazhdimisht PDK-në dhe duke bërë fushatë për këtë parti.

Osmani ka thënë se Thaçi nuk po respekton Kushtetutën dhe po tregohet diskriminues duke mos respektuar të drejtat e qytetarëve.

“Presidenti i Kosovës nuk po e luan rolin e vet, ai keqpërdori rolin e tij kushtetues duke premtuar gjëra që as sa ka qenë kryeministër dhe as si President nuk do t’i respektojë”.
Deputetja e LDK-së, gjithashtu, ka përmendur edhe dialogun Kosovë-Serbi, ku sipas saj Thaçi po mban takime me Vuçiqin dhe nuk ka transparencë.