Lëvizja Vetëvendosje thotë se në mesditë, tre aktivistë të partisë “Nisma për Kosovën” kanë sulmuar fizikisht aktivistin dhe kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal të Malishevës, Muhamet Bytyqi.

Sipas VV-së, nga ky sulm, Muhamet Bytyqit i janë shkaktuar lëndime trupore.

“Ky veprim kriminal dhe i papranueshëm flet edhe për panikun e madh të Nismës për Kosovën para zgjedhjeve të 22 Tetorit. Kjo parti që ka tradhtuar zgjedhësit e saj duke hyrë në koalicion me PDK-në është tashmë e vetëdijshme se e ka rënien të pandalshme. Ndaj, gjendjen e saj të rëndë po e manifeston me veprime të këtilla”, thuhet në njoftimin e VV-së.

VV i dënon ashpër këto veprime dhe fton organet e rendit e drejtësisë që t’i nxjerrin sulmuesit para përgjegjësisë.

“Kurrfarë presioni dhe asnjë lloj sulmi nuk e ndalë rritjen dhe fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Përkrahja e madhe popullore për Lëvizjen VETËVENDOSJE! shënon fundin e mendësisë qeverisëse së vjetër e cila e ka degraduar Malishevën dhe tërë vendin. Ky model qeverisës merr fund më 22 Tetor”, theksohet në fund të njoftimit.