Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se PDK po udhëheq bindshëm në disa prej komunave me të mëdha, e që do të fitojë në raundin e dytë.

Lideri i PDK-së, në një konferencë për media, theksoi se janë në balotazh në dhjetë komuna, tri prej tyre ndër qytetet më të mëdha.

Veseli: Po udhëheqim në tri qytetet e mëdha

“Si parti jemi duke udhëhequr bindshëm në tri komunat me të mëdha nga shtatë qendrat. Ndërsa në dhjetë komuna jemi në balotazh dhe kemi siguri të madhe se do t’i fitojmë në raundin e dytë. Komunat ku jemi të parët në balotazh aktualisht janë këto, prijmë në qytetin me të bukur të Kosovës, Prizrenin, në qytetin më industrial tani me të mirin, Mitrovicën, qytetin e ndërmarrësisë i cili po tregon se po rikthehet fuqishëm për të vazhduar transformimin e madh Ferizaj, pastaj në qytetin e lashtë Vushtrrisë, në Klinë ka rikonfirmim të besimit, në Kaçanik për doktorin e merituar dhe në Shtime kemi dy kandidat, kemi kandidatin tonë qind për qind të PDK-së dhe ish nënkryetarin e PDK-së dhe ish nënkryetari komunës është në balotazh. Jemi në balotazh edhe në Rahovec, në Malishevë jeni të sigurt se do të fitojmë edhe Dragashin sigurisht. Dy komuna kemi fituar pa balotazh, Skenderaj dhe Drenasin”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së, ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë, e po ashtu edhe komisionerët për mbarëvajtjen e procesit duke dhënë shembull edhe për vendet e rajonit.