Dorëheqja e U.d. kryetari i Penales, Stojançe Ribarev para anëtarëve të Këshillit Gjyqësor do të shqyrtohet sapo të përfundojë raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Jo zyrtarisht, Këshilli do ta pranojë vendimin e tij që të tërhiqet nga funksioni shef i Gjykatës themelore Shkupi 1, dhe të kthehet në vendin e vjetër të punës, gjykatës në Gjykatën Supreme. Shpjegimi i Ribarevit se tërhiqet për arsye personale është i zbehtë dhe pa detaje për arsyet. Ribarave mbetet i pakapshëm, pasi para shtatë ditësh mori pushim mjekësor, dhe vetëm pesë ditë më vonë e informoi Këshillin Gjyqësor se jep dorëheqje si ushtrues detyre, kryetar i Gjykatës Penale. Stojançe Ribarev u ul në atë karrige në muajin mars, pas tërheqjes së paraardhëses së tij, gjykatëses Tatjana Mihajllova, e cila menaxhonte me gjykatën për tre muaj.

Derisa gjykatësi suprem Ribarev, kryesonte me gjykatën ndodhi bastisja e gjykatësit Vlladmir Pançevski. Prokuroria Speciale dyshon se Pançevski derisa ishte kryetar i gjykatës, ka kurdisur lëndë te gjyqtarë që ka vlerësuar se janë të besueshëm, si dhe eventualisht ka pasur qasje paralele në sistemin elektronik për shpërndarjen e lëndëve. Komisioni i Ministrisë së Drejtësisë tregoi se softueri që duhet të parandalojë kurdisje të rasteve te gjyqtarët, ka qenë i manipuluar nga kryetarët që kanë drejtuar gjykatat, informacion të cilin e theksoi edhe eksperti ligjor gjerman, Rajnhard Pribe në raportin e fundit.

Nga 4 dhjetori vitin e kaluar ka ngecur procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Penale dhe që atëherë me të menaxhojnë ushtrues detyre. Përndryshe, kjo Gjykatë është e rëndësishme sepse në të procedohen të gjitha akuzat për korrupsion të lartë, duke përfshirë edhe ato të Prokurorisë Speciale./alsat-m