Aliona Zajçeva (25), vajza e një oligarku nga Ukraina, ka vrarë pesë persona, ndërsa shumë të tjerë janë lënduar pasi që ajo nuk ndaloi në dritë të kuqe të semaforit dhe me automjetin e saj u ndesh në një grup njerëzish.

Fatkeqësia e rëndë e komunikacionit ndodhi në qytetin ukrainas Harkiva, kur trashëgimtarja e re, me xhip të llojit “Leksus” goditi në automjetin “Tuareg”, ndërkaq nga fuqia e goditjes, automjeti i saj u rrokullis dhe u ndesh me një grup njerëzish.

Aliona nuk është lënduar gjatë fatkeqësisë.

Edhe pse paraprakisht mediumet ukrainase kumtuan se në incident kanë humbur jetën gjashtë persona, Ministria ukrainase e Punëve të Brendshme dha kumtesë në të cilën thekson se kanë vdekur pesë persona, ndërsa dy gra janë në gjendje kritike shëndetësore. Në mesin e të vdekurve është edhe një vajzë 15-vjeçare, ndërsa është lënduar rëndë një grua shtatzënë në muajin e shtatë.