Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë tha se e përkrahin procesin e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump dhe Tsipras pas takimit në Shtëpinë e Bardhë kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

Duke folur për marrëdhëniet e hershme me Greqinë dhe kontributin që kultura greke ka dhënë në qytetërimin perëndimor, Trump tha se do të vazhdojnë marrëdhëniet e afërta që kanë me këtë vend.

Ndër të tjera pasi ka bërë të ditur se avionë luftarakë F-16 të Greqisë do të modernizohen me një vlere prej 2.4 miliardë dollarë, Trump theksoi se kjo marrëveshje do të ofrojë kontribut edhe për ekonominë amerikane por gjithashtu do të ndihmojë edhe për rritjen e thellimit ekonomik mes dy vendeve.

Ndërkohë kryeministri grek Tsipras ka bërë vlerësime në lidhje me ecurinë e marrëdhënieve Turqi-Greqi si dhe për marrëdhëniet SHBA-Greqi.

“Ne e respektojmë Turqinë si një fuqi rajonale”

Kryeministri grek tha se disa herë kanë patur probleme me Turqinë në kuadër të Detit Egje.

“Përpos kësaj ne e mbështesim rrugën evropiane të Turqisë. Ne e respektojmë Turqinë si një fuqi rajonale. Ne besojmë se Turqia në perspektivën evropiane duhet të qëndrojë e lidhur me bashkëpunimin me Perëndimin dhe NATO-n”, tha Tsipras.

Ai beson se Turqia duhet të qëndrojë nën strukturën e NATO-s dhe të vazhdojë linjën e saj evropiane.

Lidhur me çështjen e Qipros, kryeministri Tsipras tha se “Në çështjen e Qipros ne shpresojmë që të arrijmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme në bazë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB)”.

Më tej Tsipras potencoi se Greqia është një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe. Ai gjithashtu ka dhënë informacione në lidhje me bashkëpunimin në fushën e energjisë mes Qipros jugore greke, Izraelit dhe Egjiptit.