Një statujë prej dylli e përmasave reale të Donald Trump i është shtuar degës së muzeut të “Madame Tussauds” në Berlin, e nga sa shpjeguan drejtues të tij, ka qenë dëshira e qartë e vizitorëve që figura e presidentit kontrovers amerikan të qëndronte në krah të personaliteteve të tjera, si paraardhësi i tij Barack Obama, apo përfaqësues të spikatur të sportit dhe “show-biznesit”.

“Shtëpia e Bardhë u informua e na dërgoi përmasat trupore. Ka pasur një bashkëpunim të ngushtë, që do të thotë se për figurën e tij dhe për qëndrimin është rënë dakord që përpara”, tha Nina Zerbe, zëdhënëse e “Madame Tussauds”.

“Për çdo statujë të re që vendosim, njerëzit pyesin ‘Përse është këtu? E meriton të jetë këtu? Është e drejtë, është e gabuar?’. Ndodh të gjithë kohën e do të ndodhë edhe me Trump, sepse ai është një person që shkakton polarizim. Por ne jemi të hapur, ndjekim dëshirat e vizitorëve tanë dhe nuk pres që të ketë debate shumë të mëdha”, tha Nina Zerbe.

Zerbe nuk shqetësohet për sigurinë e statujës. Ajo kujton se, edhe njerëz shumë të urryer si ish-udhëheqësi komunist i Gjermanisë Lindore, Erich Honecker, janë pjesë e ekspozitës, por figurave të tyre prej dylli nuk i ka ndodhur asgjë dhe nuk është paraqitur ndonjëherë nevoja për masa mbrojtëse shtesë.

Ekipi i “Madame Tussauds” ka punuar me vrull për ta përfunduar statujën në kohë, ndërsa vështirësitë më të mëdha i pati me imitimin e lëkurës së presidentit amerikan, e sigurisht me atë që është kthyer në shenjën e tij dalluese, flokët.