Presidenti amerikan Donald Tramp publikoi në Tuiter, se nuk ka pasur komplot midis fushatës së tij dhe Rusisë, siç qëndron në akuzat kundër tre ish-bashkëpunëtorëve të tij.

“Lajmet e rrema punojnë jashtë orarit. Siç tha avokati i Pol Manafort nuk ka pasur ‘komplot’ dhe ngjarjet e përmendura kanë ndodhur shumë më herët se ai të hyjë në fushatë”, ka shkruar Tramp në Tuiter.

Avokati i ish-shefit të shtabit zgjedhor të Trampit, Pol Manafort mbrëmë deklaroi se nuk ka dëshmi se klienti i tij ka bashkëpunuar me Qeverinë ruse, derisa ka punuar në fushatën parazgjedhore dhe se puna  e tij me Ukrainën kishte përfunduar dy vite më parë.

“Mendoj se të gjithë keni parë se presidenti Donald Tramp kishte të drejtë. Nuk ka dëshmi se Manafort ose shtabi zgjedhor i Trampit kanë bashkëpunuar me Qeverinë ruse”, deklaroi Dauning.

Pol Manafort, ish-shef i shtabit zgjedhor të presidentit Donald Tramp dhe ndihmësi i tij Rik Gejts, dje u deklaruan të pafajshëm pas 12 akuzave të cilat i ka ngritur prokurori special Robert Mjuler. Gjykatësi në Uashington iu shqiptoi paraburgim shtëpiak dhe ua mori pasaportat.

Prokuroria kërkoi garanci për mbrojtje në liri – 10 milionë dollarë për Manafort dhe pesë milionë dollarë për Gejts, por në fund të gjitha palët u dakorduan në masën e paraburgimit shtëpiak.

Manafort dhe Gejts akuzohen për kontakte me organizatën proruse nga Ukraina, e cila ishte e lidhur me presiidentin e rrëzuar ukrainas Viktor Janukoviq. Akuzat konkrete kundër tyre janë komplot kundër SHBA-së, pastrim parash, prezantim të paautorizuar të të huajve në SHBA, dhënie të deklaratave të rreme, fshehje të donacioneve nga jashtë vendit dhe fshehje se prezantojnë interesa të huaja në SHBA, për çka Manafort gjithsej i kërcënohet dënim me burg prej 80, ndërsa Gejts prej 70 vjet.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sara Senders deklaroi se akuzat kanë të bëjnë me punën e Manafort para se ai të emërohet për shef të shtabit zgjedhor të Trampit dhe për këtë nuk kanë kurrfarë lidhje me presidentin. Sanders i hodhi poshtë edhe çështjet lidhur me Xhorxh Papadopulos, këshilltar i jashtëm-politik i Trampit, për të cilin sot u tha se ka hyrë në kontakt me profesorin rus i cili i ka ofruar porosi elektronike nga Hilari Klinton.

“Papadopulos ishte një vullnetar i thjeshtë në trupin këshillëdhënës në fushatën e cila u mblodh vetëm njëherë”, deklaroi Senders.

Xhej Sekulou, këshilltar juridik i afërt me Trampin, deklaroi se presidenti nuk ka për qëllim ta pengojë punën e prokurorit Mjuler, e as mendon për faljen e Manafort dhe Gejts. Tramp ka të drejtë ta pushojë Mjuler nga puna dhe disa herë ka lajmëruar se mund ta bëjë këtë. Edhe zëdhënësja Senders deklaroi se presidenti Tramp nuk do të përzihet në punën e prokurorit dhe pret hetimi i tij së shpejti të përfundojë.

Për akuzat e Manafort dhe Gejts ka folur edhe Ministria ruse e Punëve të Jashtme. Zëdhënësja Marija Zaharova tha se në akuzën kundër Manafort dhe Gejts ka disa të pavërteta dhe imponime të mundshme. Zaharova theksoi se në akuzë ka disa gabime faktografike, si për shembull se Julia Timoshenko ka qenë presidente e Ukrainës para Janukoviqit.

“Ky është një detaj i rëndësishëm i cili tregon në atë si është përgatitur akuza. Në një hetim serioz lëshime të tilla nuk mund të ndodhin”, deklaroi Zaharova.

Manafort ishte shef i shtabit zgjedhor të Trampit nga qershori deri në mes të gushtit, kur u ndërrua për shkak të raporteve të gazetarëve se në të kaluarën ka punuar si lobist për organizatat ukrainase të cilat ishin të lidhur me Qeverinë proruse të Viktor Janukoviqit. Manafort dhe Gejts akuzohen se kanë marrë para përmes llogarive të Qipros, Ishujve Sejshel dhe ofshor destinacione të tjera.