Në dhjetor – në Teatrin Shqiptar të Shkupit do të shfaqet premiera e fundit për këtë vit. Shfaqja do të vihet në skenë nga regjisori Qëndrim Rijani dhe ky është projekti i tretë që po përgatitet nga ky institucion si pjesë e programit vjetor, shkruan gazeta KOHA. I ndarë mes dy institucioneve të qëndrimit provizor, Qendrës teatrore për fëmijë dhe Teatrit të Komedisë – repertori dhe përgatitja e shfaqjeve edhe këtë vit po kalon e ndikuar nga kombinimi i orareve me trupa të tjera teatrore, por edhe nga kufizimet hapësinore për shfaqjen e reprizave. Në mungesë të godinës, rikonstruktimi i së cilës vazhdon të jetë në proces që mund të përfundojë vitin e ardhshëm, Teatri Shqiptar ka qenë aktiv në prezantimet nëpër festivale teatrore brenda dhe jashtë vendit. Nga repertori që do të shfaqet për publikun vendas gjatë këtyre muajve – “G”, “Shfaqja që shkon mbrapsht” dhe “Darka e thërrimeve”, do të mund të ndiqen në skenat e Teatrit të Komedisë dhe në Qendrën teatrore për fëmijë në Çarshi.

“Si në përgatitjen e shfaqjeve, ashtu edhe për shfaqjen e tyre, reprizat vazhdimisht kemi probleme, si për oraret, hapësirat… Për shembull, reprizat për shfaqjen ‘G’, të cilën nuk mund ta vëmë dot në skenë ashtu si do të dëshironim. Repertori për shfaqjen e pjesëve teatrale është i kufizuar nga shumë faktorë, ndërkohë që këtë periudhë tranzitore, deri në përfundimin e objektit e kemi shfrytëzuar për një pjesëmarrje në të gjitha festivalet që janë mbajtur”, thonë për KOHA nga drejtoria e Teatrit. Dy pjesëmarrjet e radhës janë ato në Festivalin e Komedisë në Preshevë me pjesën “Shfaqja që shkon mbrapsht”, si edhe në edicionin e parë të Festivalit të teatrit “Otello” që do të mbahet në Gostivar. Gjatë këtij muaji, Teatri Shqiptar ishte pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Prishtina International Theater Festival” me “Darka e Thërrimeve”, me regji nga Refet Abazi, ndërsa me shfaqjen “G” u prezantua në festivalin në Ferizaj dy ditë më parë. Pjesëmarrja në festivale ka sjellë edhe një sërë çmimesh. Përveç shfaqjes “G” me regji nga Sulejman Rushiti, premiera e së cilës ishte në muajin korrik, po ashtu një tjetër projekt i suksesshëm ka qenë “Shfaqja që shkon mbrapsht”, (premiera në muajin mars) me regji nga regjisori kosovar Agon Myftari. Jo vetëm që është pritur mirë nga publiku vendas, por edhe në festivalet jashtë vendit. Në muajin shtator në festivalin e komedisë në Korçë “Koko Fest” Teatri Shqiptar mori katër çmime me këtë shfaqje që u vlerësua si “shfaqja më e mirë”. Me shfaqjen “Makbethi”, Teatri Shqiptar u prezantua në Festivalin e Teatrove në Antali (Turqi), ku shfaqja me regji të regjisores bullgare Diana Dobreva u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku dhe kritika.

Buxheti i vitit 2018 parashikohet të jetë më i lartë sesa ai i tre viteve të kaluara, ku për shkak të godinës së papërfunduar janë akorduar më pak të holla nga buxheti i Ministrisë së Kulturës. Sipas paralajmërimeve nga ky institucion pritet që Teatri i rikonstruktuar të inaugurohet vitin e ardhshëm dhe së bashku me të edhe një buxhet me “vëllim” tjetër nga ai i viteve më parë.