E diela e fitores së madhe të Nevzat Bejtës në Komunën e Gostivarit,  ka vënë në ethet e trishtimit shtabin e  Arben Taravarit. Gjatë gjithë fushatës parazgjedhore dhe veçanërisht ditëve të fundit, shtabi i shpifjeve të Arben Taravarit ka intensifikuar shpifjen, trillimin dhe gënjeshtrat ndaj kandidatit triumfues të raundit të parë zgjedhorë të 15 tetorit.

Së fundmi,  Taravarit sponsoron reklama mashtruese në rrjetet sociale për kinse helmimin nga uji të qytetarëve të Gostivarit.

“Nga rezultatet e analizave që i kemi marrë nga Qendra për Shëndet Publik me datë të ditës së sotshme, demantojmë informacionet e plasura në publik për kinse ujë të helmuar në rrjetin e ujësjellësit në Gostivar.  Uji plotësisht plotëson kualitetin e ujit të pijshëm. Informatat që i kemi siguruar nga institucioni i cili obligohet të bëjë analizat e ujit, flasin që në analizat e kryera së fundmi më datë 17, 23 dhe 27 tetor të vitit 2017 nga gjashtë pika të ndryshme të territorit që mbulon ujësjellësi i qytetit, rezultojnë që uji është i shëndetshëm dhe pa ndonjë bakterie”, tha Jakup Jakupi anëtar i Kryesisë së BDI-së dhe mjek në Spitalin e Gostivarit.

Këtë, tha ai, e dëshmojmë me dokumentin zyrtar të lëshuar nga kjo qendër kompetente, ndërsa dënojmë fuqishëm tentimin e shtabit të Taravarit për të sjell huti tek qytetarët me motivimin e tyre çnjerëzor për të qenë fitues të zgjedhjeve me çdo kusht, madje edhe kur preket interesi i qytetarëve të Gostivarit.

“Analizat flasin që nuk flitet për ndonjë helmim masiv si rezultat i ujit. Edhe pse ka disa pacientë të cilët e kanë vizituar Spitalin e Gostivarit, problemi nuk vjen nga uji i pijshëm. Pra bisedohet për mashtrim klasik nga shtabi i kundërkandidatit tonë për të krijuar një huti dhe shqetësim ndaj qytetarëve  të Gostivarit. U garantojmë qytetarëve të Gostivarit që uji mund të shfrytëzohet për pije dhe se ankesat nga ana e pacientëve nuk lidhet me ujin për pije por nga një epidemi e rastit që paraqitet kohë pas kohe në të gjitha stinët e vitit”, tha Jakupi.

Jakupi tha se Taravari nuk u vu në shërbim të qytetarëve si ministër përgjegjës i shëndetit të tyre por u mor me krijimin për fushatë të shpifjeve politike që mund ta ndihmonin.

“Kërkojmë publikisht që personi në fjalë të distancohet publikisht nga kjo shpifje, dhe njëherit të kërkon falje deri tek qytetarët e Gostivarit për shqetësimin e krijuar”, tha Jakupi.

Taravari mësoi se disa gostivaras u ndjenë keq. Dhe çfarë bëri? U kujdes për shëndetin e tyre? U interesua me ministrinë se si ishte gjendja e tyre? Jo! Gjëja e parë që bëri ishte të bënte lojëra fushate dhe të shpërndante me pagesë në mediat sociale shpifje që ta ndihmonin politikisht.