Javën e ardhshme në mbledhje qeveritare do të sillet vendimi për sigurim të mjeteve për një rrogë për të punësuarit në ndërmarrjen “Eurokompozit”, ndërkaq po shqyrtohet edhe mundësia për vendime sistematike për zgjidhje të përhershme ekzistencës së të punësuarve.

Këtë sot në takimin në Qeveri ua transmetoi kryeministri, Zoran Zaev përfaqësuesve të sindikatave të “Eurokompozit” dhe të Sindikatës së industrisë, energjetikës dhe xehetarisë (SIEX).

Kryeministri Zaev, siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, ka cekur se tashmë aktivisht po shqyrtohet mundësia për zgjidhje të çështjes ekzistenciale të të punësuarve të cilët me muaj nuk kanë marrë rrogë përmes Ligjit për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi dominante shtetërore.

Përfaqësuesit sindikalistë e përshëndetën përcaktimin e Qeverisë për qasje sistematike dhe zgjidhje të përhershme të problemit me ndërmarrjen, e cila, siç thuhet, me vite është margjinalizuar për ç’shkak është rrezikuar ekzistenca e rreth 240 të punësuarve.

Në takim u cek se po shqyrtohet edhe opsioni se sa mjete nevojiten për furnizim të repromaterialeve në mënyrë që të mundësohet prodhimtaria, si dhe mundësia që të zgjerohet përfshirja në Ligjin për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi dominante të shtetit me çka në mënyrë të përhershme do të zgjidhej çështja e mbi njëqind personave nga “Eurokompozit” të cilët kanë mbi 60 vite.

“Gjithashtu, do të hapen edhe opsionet e realizueshme për të ardhmen e mëtutjeshme të ndërmarrjes ‘Eurokompozit’, me çka i jepet përparësi mundësisë që shteti të ndihmojë rreth sigurimit të kushteve  që kjo ndërmarrje vendore të mbetet në pronësi shtetërore dhe të vazhdojë të funksionojë. Është marrë parasysh se duhet të zgjidhet edhe problemi i mbetur me kontributet e papaguara të të punësuarve në periudhë kohore prej pesë viteve, për ç’shkak llogaria e ndërmarrjes është bllokuar”, ceket në kumtesën qeveritare.

Përfaqësuesit sindikalistë treguan se Eurokompozit mund të punojë mirë dhe vlerësuan se ekziston vullnet politik nga ana e Qeverisë për zgjidhje të problemit të tyre.

Është arritur marrëveshje të vazhdojnë kontaktet e të dy palëve me qëllim që të sigurohet e ardhme e mirë për ndërmarrjen.