Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot u takua me ambasadorin e Republikës së Francës në Maqedoni, Kristian Timonie.

Temë kryesore e takimit, siç njoftojnë nga Zyra për informim e SÇE-së,  ishte vizita e ardhshme e Osmanit në Paris, ku zëvendëskryeministri do të takohet me ministren për Çështje Evropiane në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Evropiane të Francës, Natali Loazo, me Emanuel Lenan, këshilltar në Kabinetin e kryeministrit Filip dhe me Sabine Tilae, kryetare e Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvendin nacional.

Osmani, siç thuhet më tej, theksoi se në takime do të diskutojë për procesin e integrimit evropian të vendit, implementimin e Planit 3-6-9, si dhe shmangien e pengesave që Republika e Maqedonisë i kishte në rrugën evropiane dhe eurointegruese.

Osmani ambasadorit Timonie i ka potencuar se në Paris do të angazhohet për hapa konkrete nga ana e Francës dhe vendeve të tjera anëtare të Unionit, por të cilat do të jenë në drejtim të dukshmërisë së perspektivës evropiane të Republikës së Maqedonisë.

Zëvendëskryeministri Osmani dhe ambasadori Timonie hapën temat aktuale, në veçanti lidhur me zbatimin e zgjedhjeve lokale.

“Bashkëbiseduesit vlerësuan se zgjedhjet kaluan në mënyrë të rregullt, e cila u vërtetua edhe nga misioni monitorues i OSBE/ODHIR dhe nga monitorues të tjerë relevant të zgjedhjeve, të cilët dolën me vlerësim se kishim zgjedhje të drejta, kredibile dhe të besueshme, si në pjesën e organizimit të ditës së zgjedhjeve, ashtu edhe në pjesën parazgjedhore, në të cilën partitë dhe kandidatët kishin mundësi lirshëm t’i promovojnë programet, politikat dhe kualitetet e tyre”, thuhet në kumtesën e Sekretariatit për Çështje Evropiane.