Pas mëse dy orësh në brendësi të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ish Ministri Saimir Tahiri ka dalë pas përfundimit të hetimit, duke deklaruar se beteja e tij është me të vërtetën dhe jo me kthimin e çështjes në një debat politik.

Tahiri ka falënderuar prokurorët për pranimin e kërkesës së tij për të pasur një hetim të drejtë mbi të dhe se është paraqitur këtë të premte në organin e akuzës me kërkesën e tij vetjake.

“Falenderoj prokurorët që pranuan kërkesën time për të pasur një hetim sa më të drejtë dhe të paanshëm. Sot u paraqita me kërkesën time për t’i shkuar të vërtetës deri në fund me çdo mjet timin dhe me disiponilitetin. Nuk kam ndërmënd ta bëj betejën time para jush apo ta kthej në një debat politik. Unë betejën time e kam para drejtësisë dhe para shqiptarëve. Do doja që atë që bëra para prokurorëve, nuk dua ta bëj këtu para jush. Do t’i shkoj deri në fund të drejtës dhe të vërtetës sime dhe jam i gatshëm për këtë,” tha Tahiri.