E kualifikuara më e fundit për në Botërorin e Rusisë të vitit të ardhshëm është Kosta Rika, e cila barazoi në minutën e 95-të me anë të Kendall Waston, ndaj Hondurasit që kishte kaluar më herët në avantazh me anë të Hernandez.

Një pikë tepër e vlefshme kjo për “Ticos”, që sigurojnë kështu pjesëmarrjen në Botërorin e dytë radhazi dhe të pestin në total.

Në “Brazil 2014”, Kosta Rika shkoi deri në çerekfinale, ndërsa ka qenë e kualifikuar edhe “Itali 1990”, “Kore e Jugut-Japoni 2002”, si dhe “Afrikë e Jugut 2006”.

Ndeshja me Hondurasin ishte parashikuar të luhej të premten, por u shty për të dielën për shkak të një stuhie tropikale që preku vendet e zonës së Amerikës Qendrore.

Kosta Rika është kombëtarja e dytë e kualifikuar nga “CONCACAF”, siç njihet zona e Amerikës Qendrore e Veriore, pas Meksikës.

Në vendin e tretë të këtij grupi janë Shtetet e Bashkuara, me amerikanët që duhet të fitojnë ndaj Hondurasit për t’u kualifikuar matematikisht, ndërkohë që Panamaja dhe vet Honduras duelojnë për vendin e katërt në grup, që të çojnë në fazën “play off” kundër Australisë ose Sirisë.

Deri tani janë kualifikuar 13 kombëtare në Botërorin e Rusisë. Veç organizatorëve, në turneun prestigjioz të 2018-s do të luajnë edhe Brazili nga Amerika Latine; Irani, Japonia, Koreja e Jugut dhe Arabia Saudite nga Azia; Belgjika, Gjermania, Anglia dhe Spanja nga Europa; Nigeria nga Afrika; si dhe Meksika e Kosta Rika nga Amerika Qendrore dhe Veriore.