Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov shfaqi shpresë se viti 2018, kur Maqedonia, Finlanda dhe Suedia shënojnë 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, do të jetë viti kur vendi do të ketë rekomandim të pastër për negociata nga ana e Komisionit Evropian.

Ai në konferencën e sotme për shtyp me shefat e diplomacive të Suedisë dhe Finlandës, Margot Vallstrom dhe Timo Soini, të cilët ndodhen për vizitë kthyese në Maqedoni, theksoi se në vitin 2018 ekzistojnë gjasa reale për zhbllokim të procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik.

Dimitrov në takim me kolegët e tij e potencoi vendosshmërinë e fuqishme të Maqedonisë që sërish ta gjejë rrugën evropiane dhe kësaj radhe të mos e humbë.

“Këto janë dy vende prej të cilave kemi çka të mësojmë, ato janë burim i inspirimit, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe më gjerë lidhur me atë se si i kanë organizuar shoqëritë e tyre në interes të qytetarëve të vet. Ata vijnë në një periudhë mjaft të rëndësishme për Maqedoninë në raport me agjendën tonë reformuese dhe në raport me aktivitetet e jashtme politike të vendit”, theksoi Dimitrov, i cili këtë verë, në suaza të turneut nordik i vizitoi Suedinë dhe Finlandën.

Mbështetje të fuqishme për integrim të Maqedonisë në BE dhanë dy ministrat e punëve të jashtme.

“Ardhmëria e vendeve nga Ballkani Perëndimor është në BE”, deklaroi ministrja e jashtme e Suedisë, Margot Vallstrom, e cila e nxiti Maqedoninë të vazhdojë me përpjekjet reformuese në drejtim të sundimit të së drejtës, fjalës së lirë, lirisë së mediumeve.

Ajo rekomandoi edhe investim të përpjekjeve më të mëdha në luftën kundër korrupsionit, me qëllim që të tërhiqen më shumë investues të huaj.

Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Soini, deklaroi se Maqedonia është vendi i parë, të cilin e viziton së bashku me ministren Vallstrom.

“Përmbushja e kritereve për hyrje në BE janë me rëndësi thelbësore për vendet nga Ballkani Perëndimor”, theksoi Soini, i cili përmendi se në takim është bërë fjalë edhe për kontestin me Greqinë për emrin.

Ai shtoi se Finlanda dhe Suedia janë të inkurajuara nga rezultatet në atë proces, ndërkaq shfaqi kënaqësi edhe nga marrëveshja, që u arrit me Bullgarinë.

“Sundimi i së drejtës është mjaft i rëndësishëm në mënyrë që të mund të funksionojë sistemi, me çka do të parandalohet largimi i të rinjve nga vendi, ndërkaq madje disa prej tyre do të nxiten që të kthehen”, tha Soini.

Ai dhe Dimitrov në takim biseduan edhe për reformat e sistemit arsimor finlandez, i cili vlerësohet si një ndër më të mirët në botë dhe mundësinë për bartjen e disa prej atyre përvojave në Maqedoni.

Tre ministrat u dakorduan për përforcim të bashkëpunimit bilateral dhe ngritjen e tij në një nivel më të lartë.

Në pyetjen e gazetarëve drejtuar ministrit Soini, lidhur me reagimin e ambasadorit rus në Finlandë se Rusia do të ndërmarrë hapa adekuat nëse Finlanda i bashkëngjitet NATO-s, ai, por edhe Mallstrom, theksuan se shtetet e tyre janë të pavarura dhe se vetë do t’i sjellin vendimet lidhur me sigurinë e tyre apo anëtarësimin në aleanca të caktuara.

“Edhe Maqedonia gjithsesi është vend i pavarur. kemi 72 për qind mbështetje nga qytetarët tanë, të cilët do të donin ta shihnin vendin si anëtar të NATO-s. Ne jemi fuqimisht të vendosur të hapërojmë nëpër rrugën e integrimit tonë euroatlantik, e kjo nuk do të thotë se duhet të kemi marrëdhënie negative me kë do”, u ndërlidh Dimitrov.

Lidhur me spekulimet se MPJ planifikon ta ndërrojë Vasko Naumovskin nga pozita e negosiuesit në kontestin për emrin, Dimitrov theksoi se nuk dëshiron të japë deklarata për spekulime të pakonfirmuara dhe shtoi se ky proces merret parasysh mjaft seriozisht dhe ai do të fillojë pas zgjedhjeve lokale, siç paralajmëroi ndërmjetësi Methju Nimic.