Gatishmëri për thellim të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e krimit të organizuar dhe hetimeve financiare kanë shprehur në takimin e sotëm në Trieste ministrat e punëve të brendshme të Maqedonisë dhe Italisë Oliver Spasovski Marko Miniti.

Ata e kanë potencuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy ministrive, i cili siç potencuan po zhvillohet në frymën e marrëdhënieve miqësore tradicionalisht të mira mes dy vendeve.

Në takim, siç bëri të ditur MPB, është vënë theks në bashkëpunimin në fushën e luftës kundër drogës dhe në këtë kuptim përfaqësues të MPB-së së Maqedonisë marrin pjesë në trajnime për luftë kundër tregtisë me drogë, kryesisht në Drejtorinë qendrore për luftë kundër drogës në Romë.

Miniti e ka potencuar mbështetjen pa rezervë nga Italia për reformat në Maqedoni.

Ministri Spasovski dje edhe sot merr pjesë në Konferencën përfundimtare për projektin “Luftë kundër krimit të organizuar: Bashkëpunim ndërkombëtar në të drejtën penale”, që mbahet në Trieste.