Deri sot në orën 24 do të zgjasë afati për parashtrimin e ankesava dhe padive në lidhje me zgjedhjet lokale që u mbajtën ditën e diel. Pasi të vendoset për ankesat eventuale, do të mësohen edhe rezultatet zyrtare përfundimtare për rrethin e parë.

Çdo bartës i listës së kandidatëve në procedurën për votim, përmbledhje dhe vërtetim të rezultateve të votimit mund të dorëzojë ankesë në KSHZ në afat prej 48 orëve pas përfundimit të votimeve, gjegjësisht pas shpalljes së rezultateve të para, ndërsa KSHZ është e detyruar të vendosë për ankesat në afat prej 48 orëve.

“Numri i saktë ku votimet kanë përfunduar në rrethin e parë, mund t’i shpallim pas përfundimit të procedurës për ankesat dhe paditë eventuale. Bartësit e listës kanë të drejtë për mbrojtje gjyqësore, gjegjësist të dorëzojnë padi në Gjykatën Administrative”, tha kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski.

Ndryshe, procesi zgjedhor në rrethin e parë ka përfunduar në 45 komuna dhe në Bashkinë e Shkupi, ndërsa në 35 tjera do të ketë balotazh.