Organizata humanitare ”Mjekët pa kufij” (MSF) përsëriti akuzat kundër policisë kroate, hungareze dhe bullgare se kanë përdorur dhunë kundër migrantëve që kanë tentuar të hyjnë në Bashkimin Evropian, veçanërisht kundër minorenëve.

“Dhuna kundër fëmijëve dhe të rinjve që përpiqen të largohen sot nga Serbia, dhuna është konstante dhe në pjesën më të madhe të rasteve ushtrohet nga policët në kufijtë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian”, denoncoi në një komunikatë Stéphane Moissaing, që drejton misionin e MSF-së në Serbi.

“U bënë më shumë se një vit që mjekët dhe infermierët tanë dëgjojnë të njëjtën gjë, të njëjtat histori të përsëritura nga të rinjtë e prekur, të poshtëruar dhe të sulmuar nga qentë, për faktin e thjeshtë se dëshirojnë dëshpërimisht të vazhdojnë rrugën e tyre”, denoncoi ky zyrtar.

“Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2017, 92 për qind e fëmijëve dhe adoleshentëve që janë paraqitur në spitalet e lëvizshme të MSF-së kanë përmendur dhunën fizike të autoriteteve kufitare kroate, hungareze dhe bullgare”, theksoi organizata.

Pothuajse gjysma, 48 për qind drejtojnë gishtin tek autoritetet bullgare.

Gjatp kësaj periudhe, klinikat e lëvizshme të MSF-së në Beograd kanë registruar 62 raste dhune institucionale në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, 24 në kufirin me Kroacinë.

“Është e turpshme që vendet anëtare të Bashkimit Evropian të përdorin qëllimisht dhunën për të penguar fëmijët dhe të rinjtë të kërkojnë azil në Bashkimin Evropian”, theksoi Moissaing.

”Dhuna e përdorur shkakton dëme serioze fizike dhe psikologjike dhe i bën këta fëmijë më të ndjeshëm. Ajo i shtyn në krahët e trafikantëve që BE synon t’i luftojë”, shtoi ai.