Nga Abdulla Mehmeti

Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe vlerat themelore të demokracisë nuk mund të kenë alternativë të diskutueshme. Askush nuk ka të drejtë t’i shkel parimet themelore të demokracisë, për mbetjen edhe më tej në pushtetin vendor e kandidatëve të subjektit politik të shqiptarëve, i cili pa asnjë kriter dhe pa kushte ka qëndruar në pushtet disa mandate pa ndërprerë, me këtë duke i kriminalizuar shoqërinë edhe institucionet vitale të shtetit!

Askush nuk ka të drejtë të jep vlerësime negative për karakterin, vlerat personale dhe aftësitë profesionale të kandidatëve për kryetarë të komunave shqiptare, por lufta në këto zgjedhje vendore zhvillohet për parime, mbrojtjen e vlerave themelore të demokracisë, jo mes kandidatëve.

Këta kandidatë edhe më tej duhet të mbeten të mirë dhe të dobishëm për familjet e tyre, për subjektet politike që u takojnë, ndoshta edhe për shoqërinë dhe shtetin, por ora e tyre është ndalur mes krimeve dhe terrorit të ushtruar ndaj qytetarëve, sidomos ndaj shqiptarëve, gjatë periudhës së kaluar mbi 16 vjeçare, në bashkëqeverisje me kolaicionet e udhëhequra nga VMRO-DPMNE dhe strukturat e mëhershme të LSDM, me çka popullit shqiptar i sollën dëme të paparashikueshme, ndërsa të drejtat e parealizuara të shqiptarëve do të mbeten edhe më tej barrë e forcave të reja politike të shqiptarëve, në vend të realizimit të programeve të tjera zhvillimore, për barazi të plotë, mirëqenie dhe progres edhe të popullit shqiptar në Maqedoni.

Përkrahja formale që mund të vijë në balotazhin mes kandidatëve në komunat shqiptare, për mbështetje të disa kandidatëve nga partneri i tyre maqedonas në koalicionin qeveritar aktual, mund të jetë vetëm një farsë, një detyrim moral ndaj partnerit të tyre, por nuk paraqet asnjëfarë interesi strategjik për qeverinë aktuale të Maqedonisë, aq më pak për ruajtjen dhe forcimin e besueshmërisë tek qytetarët shqiptarë ndaj kësaj qeverie.

Nëse praktika do ta dëshmojë të kundërtën, këto subjekte poltike së bashku do ta pagujnë tagrin e shtrenjtë në vorbullën e thellë të turbulencave ballkanike, si në të kaluarën.

Këto subjekte politike dhe drejtuesit e tyre, miqësitë personale e grupore mes tyre le t’i ruajnë për në shtëpitë e veta, ndërsa interesi i përgjithshëm i qytetarëve dhe i shtetit është ideali i shenjtë që na përket të gjithëve ta përmbushim, pa i shkelur parimet me asnjë kusht dhe çmim!