Në emisionin “Ditë e Re” në Ora News, kreu i bashkisë së Tiranës krahas intervistës me moderatoren Dajana Shabani iu përgjigj edhe disa pyetjeve nga studio.

Moderatorja e “BOOM”, Rozana Radi i përcolli një shtetësim të ndjeshëm për çdo qytetar të kryeqytetit, kryesisht rezidentët, parkimin.

Rozana Radi: Unë jam rezidente në Tiranë me shtëpi të vjetër para se të lindja unë. Shtëpia nuk posedon parkim.Nuk di ku mund ta parkoj makinën nëpër rrugët e Tiranës. Pse parkingjet në të gjitha rrugët e Tiranës janë aq të shtrenjta dhe nuk ka dallim mes rrugicave të vogla me ato të qytetit?

Erion Veliaj: Në Tiranë ka 200 mijë makina dhe ka vetëm 4 mijë vende parkimi në sipërfaqe. Kur parkimi bëhet me pagesë njerëzit mbarojnë punë shpejt dhe lëvizin.Gjatë natës e kemi të pa tarifuar. Por parkimi nuk është e drejtë themelore e njeriut, jeta është, e drejta e votës, arsimit, e drejta për shëndetësi. Parkimi është një copë tokë jo e jotja që ti e merr me qira për të parkuar hekurishten tate që quhet makinë.Të kesh makinë është mjet pune dhe duhet të sigurohesh që në të ardhmen të marrësh një shtëpi që ka dhe parkimin. Hekurishten nuk mund ta lësh në pronë publike se ka një çmim.

Rozana Radi: Pyeta për rezidentët, na shkoi rroga vetëm gjoba, si mund ta zgjidhim?
Veliaj: Për rezidentët kemi filluar një projekt, kemi kaluar 10-15 blloqe, është një proces në vazhdim.

Rozana Radi: Pse nuk ndryshojnë çmimet nga qendra e qytetit me rrugët e tjera, lagjet e vjetra?

Erion Veliaj: Tirana është e ndarë në tre kategori, pjesa brenda Unazës është me çmimin e qendrës. Faza e dytë është zona B që është 40 lekë dhe faza e tretë zona C me 20 lekë. Në B dhe C ende nuk jemi rigoroz, ndërsa në qendër kemi qenë shumë të rreptë. E kemi të diferencuar. Parkimi tek sheshi “Skëndërbej” është 100 lekë ndërkohë parkimi i bashkisë tek Liqeni është 40 lekë.

Këtë arsyetim të saj Rozana e ka vijuar edhe përmes një postimi në rrjete sociale

Statusi i këngëtares Rozana Radi në rrjete sociale pas bisedës me Kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj:

Pyetja ime ishte per rezidentet e pallateve qe nuk posedojne parking ne pallatet e tyre te vjetra .Ne te dyja anet e rrugeve prane pallateve ka parking por me pagese. Si zgjidhet ky shqetesim per ne si qytetare qe i paguajme taksa ketij vendi! Une jetoj ne nje pallat te vjeter tek Sheshi Wilson, i cili nuk ka parking nen tokesor Ku mud ta parkoj makinen zoteri? Nuk mund te paguaj cdo ore me sms sepse ne fund te cdo muaji po kuptoj qe po me merrni rrogen! I kuptoj parkingjet dhe cmimet e tyre ne qender te Tiranes por mendoj qe duhet te kene diference cmimi qendra me lagjet e tjera dhe te paisni rezidentet ne kartat perkatese sigurish duke paguar nje lloj takse. Te mos gjesh nje vend per te parkuar makinen tende kur je rezidente vetem ketu ndodh!!!! Ne qe i kemi shtepite qe ne kohen e xhaxhit ku ti leme makinat kur pushojme ne dreke?