Hamdi Salihi ka shënuar katër gol në Austri në fitoren prej 4:2 të Wiener Neustadt kundër Kapfenberger.

Sulmuesi veteran shkodran, i cili është aktivizuar me Vllazninë, Tiranën e Skënderbeun në Kategorinë Superiore, ka provuar disa aventura të huaja, nga Austria në SHBA, nga Izraeli në Kinë, për t’u zhvendosur sërish në Austri, aty ku duket se i ecën më shumë.

Edhe pse 33-vjeçar tashmë (34 i mbush në janar), mbrëmjen e kësaj të premteje ai është bërë autor i një “pokeri” në ndeshjen mes Neustadt dhe Kapfenberg, në kategorinë e dytë austriake “Erste Liga”, gola që e kanë katapultuar atë në krye të golashënuesve të këtij kampionati me 13 finalizime, një më shumë sesa ndjekësi më i afërt që luan me Riedin.

Bomberi shkodran shënoi tre gola në pjesën e parë, dy prej të cilëve nga pika e bardhë e 11-metërshit, përpara se të trondiste sërish rrjetën e kundërshtarëve në pjesën e dytë.

Ekipi i tij, Neustadt kryeson kampionatin me 30 pikë në 15 ndeshje, një më shumë sesa Riedi, që gjithsesi ka një ndeshje për të luajtur.